Haradinaj thirrje Kurtit e Osmanit: Pranoni sugjerimet e ShBA-së

20:56 | 9 Qershor 2023
K.B

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka bërë një thirrje, siç tha ai, të fundit ndaj kryeministrit Albin Kurti e presidentes Vjosa Osmani.

Haradinaj tha se Kosova a po kalon momente të vështira, për shkak të kryeneçësisë së kryeministrit dhe pavendosmërisë së presidentes.

“Kosova po kalon momente vendimtare e as ata e as ndjekësit e tyre, nuk janë duke e kuptuar rrezikun që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë dhe veprimet që janë përmbysje e gjithë asaj që është arritur deri më sot”, shkroi Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Ai tha se duhet që të pranohen sugjerimet e partnerëve tanë strategjikë, posaçërisht ShBA-së, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin.

“Kryeministri e ka momentin e fundit të heqë dorë nga kursi i mosveprimit e të kalojë në anën e duhur. Vetëm kështu, e të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja e finale me Serbinë”, tha ish kryeministri i Kosovës që tani drejton një nga partitë opozitare në vend.

“Është thirrja ime e fundit që kryeministri dhe presidentja të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë. Mos e përjashtoni veten nga ky proces!”, përfundoi ai./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme