Kina kompleks spiunazhi në Kubë, synon të përgjojë komunikimet elektronike amerikane

21:25 | 8 Qershor 2023
K.B

Kuba ka pranuar t’i lejojë Kinës të ngrejë një kompleks spiunazhi në ishull, që do t’i mundësonte shërbimeve sekrete të Pekinit të përgjonin komunikimet elektronike në jug-lindje të Shteteve të Bashkuara, ku ndodhen shumë baza ushtarake.

Lajmin e bën të ditur CNN, sipas të cilës pala amerikane ka mësuar për planin kinez para disa javësh, por ende nuk dihet nëse Kina e ka nisur ndërtimin e kompleksit të saj.

Kjo nuk është hera e parë që Kina përpiqet të përgjojë komunikimet elektronike amerikane, të njohura si sinjale inteligjente.

Një balonë-spiune kineze që hyri në territorin amerikan në muajin shkurt arriti të mblidhte të dhëna dhe dyshohet se ia ka përcjellë ato Pekinit thuajse në kohë reale.

Atëherë, Shtetet e Bashkuara morën masa për të mbrojtur bazat kryesore dhe për të censuruar sinjalet inteligjente përpara se ta qëllonin dhe rrëzonin balonën.

Por tani është e paqartë se çfarë mund të bëjë Uashingtoni për të ndalur ndërtimin e një kompleksi spiunazhi kinez në Kubë.

Ishte gazeta “Wall Street Journal” e cila raportoi e para për këtë plan të Pekinit. Të kontaktuara nga mediat amerikane, CIA dhe ambasadat kineze e kubane në Uashington kanë refuzuar të bëjnë komente./euronews

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme