Google ADS

​Abbott: Kosova duhet t’i dëgjojë këshillat e miqve

16:54 | 8 Qershor 2023
K.B

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës t’i dëgjojë këshillat që vijnë nga miqtë dhe partnerët e saj për të ndërmarrë hapa për shtensionimin e situatës në veri.

Në një deklarim për media në hollin e Kuvendit, ai ka thënë se nuk është e nevojshme që kryetarët shqiptarë të komunave veriore të punojnë nga objektet komunale, e as nuk ka nevojë që Policia e Kosovës të luajë rolin e rojeve.

“Ne mbetemi të shqetësuar si të gjithë aleatët dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës për situatën në veri. Ne po vazhdojmë të kërkojmë de-përshkallëzimin. Ne nuk besojmë se është e nevojshme që kryetarët e komunave të punojnë nga zyrat komunale dhe nuk besojmë realisht se ka nevojë që njësitë speciale të policisë të veprojnë si roje për ndërtesat”.

“Ata kanë punë shumë më të rëndësishme për të bërë diku tjetër. Kështu që, shpresoj shumë që në ditët në vijim të shohim një ndryshim. Do të shohim propozime, do të shohim shumë më tepër bashkëpunim ndërmjet agjencive të sigurisë. Natyrisht si ambasador, unë jam duke folur me shumë njerëz të ndryshëm dhe po përpiqem të gjej se cila është mënyra më e mirë për të ecur përpara”.

“Kjo është një kohë e vështirë dhe mendoj se duhet të jetë krejtësisht normale që Kosova të dëgjojë këshillat që vijnë nga miqtë dhe partnerët e saj. Shqipëria është një vend që është shumë afër Kosovës. Ne e dimë se javën e ardhshme do të ketë bisedime mes qeverive. Jam i sigurt se do të ketë shumë çështje në tryezë. Këshilla ime për qeverinë do të jetë që t’i dëgjojë të gjitha këto, të gjejë rrugën e duhur përpara, por një rrugë që tregon mirëkuptim për shqetësimet e miqve të saj”, ka deklaruar Abbott.

Për propozimin e draft-statutit për Asociacionin nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Abott ka thënë se nuk e ka parë ende, por ai e di që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë shumë të afërta e që do ta kenë një takim javën e ardhshme.

Pas deklarimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se ia ka dorëzuar një draft statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidentit francez Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, kanë pësuar reagime të shumta në Kosovë.

Deputetë të partive politike janë shprehur pro dhe kundër këtij veprimi.

 

lexo edhe:

Rama: I kam dorëzuar dokumentin për formimin e Asociacionit për Kosovën Macronit e Scholzit

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme