Krishtlindjet pa pemë janë të paimagjinueshme për gjermanët. Kështu është prej më shumë se 100 vjetësh. Por disa gjëra kanë ndryshuar në vite. Sot ka më shumë konsum se sa reflektim.
Asnjë event tjetër kristian nuk festohet kaq intensivisht në Gjermani sa lindja e Krishtit. Edhe në mijëvjeçarin e tretë kalendari nuk mund të mendohet pa krishtlindjet. Kultura e festës, që ka evoluar gjatë shekujve, ka nxjerrë një simbol, pa të cilin festa do të ishte e paimagjinueshme, pemën e krishtlindjeve. “Pa pemën e Krishtlindjeve nuk mund të imagjinohet njerëzimi”, thotë historiani dhe arkeologu Peter Knierriem. Ai mendon për më tepër se pema e zbukuruar do të zërë vend edhe në zona, që nuk kanë të bëjnë me krishtlindjet, raporton DW.
Knierriem është drejtor i muzeut Schloss Rochlitz në Saksoni dhe studjon prej më shumë se 20 vjetësh kulturën e krishtlindjeve. Eksponate të koleksionit të tij të madh ai i prezanton në muzeun e pallatit Lauenstein, rreth 40 kilometra në jug të Dresdenit. Ekspozita e posaçme “Kush tha natë e qetë – Krishtlindjet një udhëtim përmes dy mijëvjeçarëve të kulturës së kësaj feste”, zgjat deri më 7 shkurt 2016.
Traditë e re
Mënyra se si gjermanët i festojnë Krishtlindjet, është një traditë e re, thotë historiani në bisedë me DW. Bredhin e stolisur, pa të cilin nuk mund të mendohet sot asnjë dhomë gjermane, e hasim për herë të parë në shekullin e 15-të. Atëherë kanë qenë zejtarët ata, që mbushnin pemën duke e zbukuruar me ushqime. “Gjatë procesioneve me shumë zhurmë dhe hare këto pemë shëtiteshin nëpër rrugë.”
Para 200 vjetësh gjatë periudhës Biedermeier, u bë zakon që një dru me formën e pemës të zbukurohej me degë shemshiri. “Pas gjithë këtyre zakoneve qëndron dëshira, që me degët e gjelbra të sfidohet periudha e ftohtë e vitit duke shprehur në këtë mënyrë shpresën për jetën”, thotë Knierriem.
Pema e ndriçuar e krishtlindjeve ndeshet për herë të parë në shekullin e 19-të. Historiani tregon se ajo u përhap në vitin 1870 në luftën gjermano-franceze. “Në atë kohë mbreti Vilhelm, i cili u bë më vonë perandor, festoi në Versajë nën pemën e krishtlindjeve fitoren kundër Francës. Nëse mbreti e bën këtë, duhet të jetë diçka e mirë, tha populli dhe bëri të njëjtën gjë.”
Lufta tek bredhi
Pastaj pema e krishtlindjeve u vu gjithnjë e më shumë në qendër të festimit të krishtlindjeve në familje. Pas dhomave të borgjezisë, ajo pushtoi edhe kthinat e shtresave të thjeshta.
Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore në 1914 përfshiu edhe bredhin e Krishtlindjeve: Pemët zbukuroheshin në mënyrë patriotike, thotë Peter Knierriem: “Të gjithë arsenalin e armëve të Luftës së Parë Botërore mund ta gjesh si dekoracion të bredhit në formën e dylbive, avionëve, granatave, minave detare apo anijeve luftarake.”
Tradita e dhuratave
Tradita e të dhuruarit erdhi më vonë. Ajo nisi fillimisht në mënyrë shumë modeste, tregon Tanja Roos, historiane për historinë ekonomike dhe sociale: “Midis vitit 1900 dhe Luftës së Dytë Botërore (1939) dhuratat për fëmijët ishin të vogla: kukulla të thurura vetë dhe lojëra të thjeshta me letra, topa, libra, lodra prej druri. Nën ndikimin e militarizimit para Luftës së Parë Botërore ka pasur lodra fëmijësh në formë ushtarësh dhe pushkësh.”
Bredhi i ndritshëm në kohën e nazistëve
Me ardhjen në pushtet të nacionalsocializmit politika ndërhyri edhe në festën tradicionale të krishtlindjeve. Festa u keqpërdor për qëllime ideologjike. “Qëllimi i pushtetarëve ishte që të dëbonin idenë kristiane nga kultura e festës, sepse ideologjia e tyre nuk mund të pajtohej me krishtërimin”, thotë historiani Peter Knierriem.
Kështu nazistët u përpoqën të ringjallnin zakonet gjermanike. Festa e krishterë duhej të kthehej në “julfest”, e cila kremtohej në Evropën veriore gjatë solsticit të dimrit. Bredhin e krishtlindjeve ata e quanin “bredh jul”. Simbolet e krishtera kryqi dhe ylli i Betlehemit u zëvendësuan me kryqin e thyer dhe diellin gjermanik.
Krishtlindjet në luftë
“Krishtlindjet e para të luftës ishin një element, të cilin propaganda mundi ta shfrytëzojë mirë”, shpjegon historiani nga Saksonia. “Ata ishin një apel drejtuar unitetit të popullit.” në 1943 prodhimi i zbukurimeve për bredhin u ndërpre, vazhdon ai. “Krishtlindja në luftë mund të jetë gjithmonë një element propagandistik, por qytetari normal ka prej kohësh mendimin e tij, kur e bën festën vetëm me një degë bredhi në vendstrehimin kundër bombardimeve.”
Trishtimi mbizotëronte krishtlindjet e fundit të luftës, thotë historiania Tanja Roos. Shumica e artikujve të përdorimit të përditshëm nuk gjendeshin, ose ishte shumë e vështirë të gjendeshin. Kishte “ushqime zëvendësues” si elbi në vend të kafesë dhe mjaltë artificiale. Në këtë kohë të skamjesdhe luftës për mbijetesë dhuratat ishin gjëra pa rëndësi.
70 vjet pas përfundimit të luftës shumica e gjermanëve nuk e përfytyron dot më kohën e mangësive. Në shekullin e 21-të krishtlindjet janë bërë një festë kryesisht konsumuese. Por janë edhe momentet e qeta dhe reflektuese, sidomos kur familja mblidhet para bredhit dhe këndon këngë krishtlindjesh./”Deutche Welle”
Nga burgim i përjetshëm, Supremja ia ul në 35 vjet dënimin t...
Abdixhiku premton: Me ne, Kosova do të anëtarësohet në NATO ...
Milani duhet të sakrifikojë Fonseca-n apo Leao-n?
OKB: Situata humanitare në Liban është më e keqe sesa në luf...
Komuna synon largimin nga rruga të rreth 1500 qenve endacakë...
Haxhiu: Shah e ping-pong me Deharin, VV-ja do të duhej të di...