“Ultimatumet e kanë humbur besueshmërinë, nuk zbatohen nga amerikanët”

09:29 | 8 Qershor 2023
L G

Qetësimi i situatës në veri, zgjedhjet e reja dhe krijimi i Asociacionit, janë tre kushtet që emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gabriel Escobar i ka dhënë ultimatum kryeministrit Albin Kurtit që t’i realizojë sa më shpejt.

Ky ultimatum ka ngjallur reagime të shumta në publik, duke hamendësuar se çfarë mund të ndodh më Kosovën në qoftë se nuk zbatohen kriteret.

Analisti politik, Arton Demhasaj për portalin Arbresh.info ka deklaruar se kërkesat e Escobarit janë të pranueshme, megjithatë sipas tij, Qeveria duhet t’i vendos edhe disa kushte.

‘Unë mendoj që janë të pranueshme dhe Qeveria duhet mi pranu kërkesat e partnerëve ndërkombëtar, sidomos SHBA-ve. Por, normalisht Qeveria duhet me i vendos edhe disa kushte, sidomos  sa i përket arrestimit të kriminelëve që operojnë në veri, e që vazhdimisht po operojnë në situata atje”, ka deklaruar Demhasaj.

Ai, theksoi se lista e kriminelëve serbë është gati dhe patjetër duhet të pranohet kërkesa e ndërkombëtarëve për të dal nga situata.

“Paralelisht me këtë, me kërku nga partnerët ndërkombëtar që me e përkrahë Qeverinë apo Policinë e Kosovës në arrestimin e kriminelëve që tashmë edhe janë listu dhe emrat e tyre janë bërë publik. Nuk ka zgjidhje tjetër, duhet me i pranu kërkesat e partnerëve për me dal nga kjo situatë momentale që jemi”, tha Demhasaj.

Ai, shtoi se Kurti i ka marrë seriozisht këto kërkesa dhe do të reflektojë siç ndodhi vjeshtën e kaluar për targat.

“Mendoj se ka me reflektu siç ka reflektu në vjeshtën e vitit të kaluar sa i përket vendimit për targa, mendoj që ka me reflektu edhe për qytetarët sepse nuk ka zgjidhje tjetër”, tha ai.

Baraliu: Ultimatumet janë të papranueshme, presionet janë të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme

Mazllum Baraliu, analist për çështje politike tha se kërkesat e ndërkombëtarëve janë serioze, por sipas tij, ky relacion i tyre ndaj Kosovës nuk do të duhej të ndodhte.

“Kërkesat sigurisht që janë serioze. Por ajo që po ndodhë në relacion mes Bashkësisë Ndërkombëtare dhe Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj, është diçka që nuk do të duhej të ndodhte. Presionet janë të vazhdueshme të një pas njëshme, sjelljet janë jo parimore gjithë herë dhe janë asimetrike në relacion me palët në dialog dhe sidomos ultimatumet janë të papranueshme për çdo shtet sovran”, tha Baraliu për portalin Arbresh.info.

Ai shtoi se Serbisë nuk po i bëhet i njëjti presion dhe sipas tij, kjo ndikon në opinionin publik.

“Prandaj, është për të ardhur keq gjithë ky presion kështu dhe sjellje jo parimore, jo simetrike në relacion me Kosovën. Vazhdimisht kërkesa dhe presion. Ndërkaq Serbisë asnjë kërkesë, asnjë presion serioz dhe kjo është  diçka që nuk do duhej të ndodhte sepse e indinjon opinioni  publik dhe e helmon marrëdhëniet në një mënyrë a në një tjetër mes njerëzve dhe bindjeve të njerëzve”, tha Baraliu.

Ai pohoi se një miqësi mbi shekullore mes popullit të Amerikës dhe popullit shqiptarë të përcillet me rrethana të tilla ultimative janë të panevojshme, të paarsyeshme dhe pa efekte.

Megjithatë, ai theksoi se nëse nuk plotësohen tri kërkesat e Escobarit mbetet shije e hidhur mes diplomatëve, njerëzve dhe shtetarëve.

“Asgjë nuk ndodh, përveç se mbetet shija e hidhur dhe fjalët e pamatura të njerëzve, të diplomatëve, edhe shtetarëve. Do të duhej të ketë një maturi të jashtëzakonshme dhe një kujdes me komunikimin publik me qytetarët dhe në komunikimin publik ndërkombëtar. Por edhe ata emisarët do të duhej ta dinin që nuk janë as të deleguar, as të mandatuar, as që kanë fituar ndonjë mandat nga populli dhe nuk munden me fut imponime, diktate dhe ultimatume të arrijë rezultate”, tha Baraliu.

Ramadani: Ultimatumet e kanë humbur besueshmërinë, nuk zbatohen nga amerikanët

Ultimatumi i amerikanëve ndaj Kosovës e ka një elasticitet dhe  Kurti po e eksploron këtë mundësi.

Kështu tha analisti politik Shkodran Ramadani

“Unë mendoj që edhe Kurti e ka vërejtur që këto ultimatume, këto kërcënime, këto emërime për pasoja edhe për masa negative kundër Kosovës, e kanë humbur kredibilitetin për shkak që disa herë me radhë amerikanët thonë ultimatum deri nesër, ultimatum 48 orë, bëhet sot, bëhet nesër. Tash Escobari tha që nuk kam dhënë ndonjë afat, kështu që d.m.th. është duke u vërejt një farë elasticiteti të amerikanëve dhe zoti Kurti po e eksploron këtë mundësi”, tha Ramadani.

Ai pohoi se Kurti duhet t’i qëndrojë pas vendimeve të tij, sepse humb serioziteti i shtetit.

“Kurti nuk po vepron ashtu siç po kërkojnë ata kësisoj situata është e pa qartë, nuk dihet se si do të merren rrjedha e këtij procesi. duhet të pajtohemi që është dashur të koordinohemi me fillim për  ato veprime, por meqenë se nuk është marr vesh në fillim nuk është koordinuar me ta, atëherë besoj që tash do të duhej normal ti qëndronte pas mendimeve të veta  të mos zmbrapset sepse edhe ashtu humbet edhe serioziteti i shtetit e i institucioneve”, pohoi Ramadani.

Ai shtoi se durimi nga SHBA-ja për Kosovën është i madh, dhe sipas tij Kurti është duke e shfrytëzuar këtë.

“Për sanksione të reja nuk besoj, sepse diku duhet të ketë një kufi. Nuk mund të shkoj kjo në pafundësi. Megjithatë prapë durimi dhe tolerimi nga ShBA-ja është i madh dhe Kurti është duke e  shfrytëzuar saktësisht këtë gjë për shkak se e ka kuptu që ultimatumet nuk janë të tepërta, ato nuk po respektohen sepse gjithmonë po zgjaten, ultimatum pas ultimatumi kështu e humb kredibiletitn mekanizmi i ultimatumit”, tha Ramadani.

Ramadani tha se gjuha që po flasin amerikanët me Kosovën nuk është gjuhë e aleatëve.

“Gjithsesi, ky është lajm i keq, sepse gjuha që po përdorin amerikanët kur flasin me Kosovë është gjuhë e jo aleatëve, jo e dy miqve. Siç tha edhe Escobari që Kurti po mendon që ShBA është armik i Kosovës. Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese, sepse kur kryeministri ka një mendim të tillë atëherë pasojat për raportet  SHBA-Kosovë sigurisht që do të jenë të pakëndshme, të dëmshme dhe shumë të rrezikshme për të ardhmen Kosovës”, tha Ramadani.

Ndryshe, që nga 26 maji, në tri komunat veriore Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, serbët kanë organizuar protesta. Kjo për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill, në objektet komunale.

Situata ishte tejet e tensionuar të hënën e 29 majit, kur pati edhe përleshje në mes të KFOR-it dhe protestuesve. Si rezultat i sulmit nga protestuesit serbë 30 ushtarë u lënduan, në mesin e tyre tre nga arma e zjarrit.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes për më shumë se një vit ka investuar për të marrë pjesë në ushtrimin ushtarak ‘Defender 23’.

Me 21 maj, Forcat e Sigurisë së Kosovës nisën ushtrimin më të madh ushtarak ndërkombëtar si nikoqire e 25 shteteve partnere me mbi 22 mijë ushtar.

Por, më 31 maj Kosova u përjashtua nga ushtrimi i “Defender Europe 2023”dhe për Prishtinën ushtrimi më i madh ushtarak ndërkombëtar, përfundoi aty.

Kjo ishte bërë e ditur nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili kishte paralajmëruar edhe të tjera sanksione në rast të mos plotësimit të kërkesave të ndërkombëtarëve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i kanë bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, që të organizojnë zgjedhje të reja në këto komuna.

Përveç organizimit të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian  dhe SHBA kanë kërkuar nga Kosova që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje dhe të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkohë, nga zgjedhjet e fundit, kryetar në Mitrovicën e Veriut është zgjedhur Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Lulzim Hetemi në Leposaviq po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje, kurse nga Partia Demokratike e Kosovës, në Zubin Potok është zgjedhur Izmir Zeqiri, dhe në Zveçan Ilir Peci./ Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Të ngjashme