Google ADS

Arrestohen tre të dyshuar për falsifikim të 8 mijë eurove

23:05 | 7 Qershor 2023
K.B

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre të dyshuar për përfshirje në veprën penale “falsifikim i parasë”.

Në njoftimin e Policisë thuhet se  Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, të mbështetur edhe nga institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë hetuar për një periudhë disa mujore tre të dyshuarit.

“Pas grumbullimit të dëshmive e fakteve, policia sot ka realizuar një operacion policor, gjatë të cilit ka rezultuar që në flagrancë të arrestohen tre të dyshuarit: E.H., (mashkull kosovar, viti i lindjes 2003), E.H., (mashkull kosovar, viti i lindjes 2000) dhe L.U., (mashkull kosovar, viti i lindjes 2003). Të dyshuarit janë arrestuar dhe si provë materiale janë konfiskuar: 4296 copë monedha metalike nga 2 €, (4296X 2=8592 euro), një automjet dhe katër telefona celular”, njofton policia.

Tutje në njoftim thuhet se të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe ndaj tyre është iniciuar rasti ‘falsifikim i parasë’.

Ndërsa Rasti është trajtuar në koordinim me organet e drejtësisë (Prokurorinë Themelore në Prishtinë) dhe me aktvendim nga këta të fundit, tre të dyshuarit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë./Arbresh.info/




Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme