Çfarë rrezikon të humb Kosova nëse nuk parandalohen tensionet në veri?

09:35 | 7 Qershor 2023
E.H

Tensionet që nisen në komunat veriore të vendit pas betimit dhe fillimit së punës së kryetarëve të rinj atje, bënë që Kosovës të mos i tërhiqet vetëm vërejtja, por t’i vendosen edhe sanksione.

Protestat e qytetarëve serbë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të cilat eskaluan edhe në dhunë kundër Policisë së Kosovës dhe ushtarëve të KFOR-it, bënë që më 30 maj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), i vendosën Kosovës sanksionin e parë, duke e përjashtuar nga ushtrimet e përbashkëta ushtarake në kuadër të “Defender 23”, e cila po zhvillohej në Kosovë tash e sa ditë.

Njohësit e çështjeve politike dhe të sigurisë në vend, vlerësojnë se Kosova përsëri do të ballafaqohet me sanksionet e radhës nëse nuk respektohen kërkesat e SHBA-ve.

Shala: BE mund të na bllokojë anëtarësimin në KiE, të pezulloj liberalizimin e vizave dhe të ndalen fondet

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala për Arbresh.info thotë se pasi Kosova u përjashtua nga “Defender 23” ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj duhej të kishte dhënë dorëheqje.

“Përjashtimi i FSK nga DF23 po jap dëshminë që në arenën ndërkombëtare jemi duke rrëshqitur nga trasa progresive euro/atlantike . Ky veprim Amerikan mund të mos jetë veprim i vetëm që do t’ju adresohet shtetit të Kosovës dhe në këto rrethana mbi DF23 si reagim ish dashtë të jap dorëheqje Ministri i Mbrojtjes se RKS”, tha Shala për Arbresh.info.

Sipas Shalës, nuk do të jetë vetëm SHBA-ja që ka ndëshkuar Kosovës.

Ai për Arbresh.info thotë se Bashkimi Evropian mund të na bllokojë anëtarësimin në KiE, liberalizimin e vizave dhe t’i ndaloj fondet për institucionet e vendit.

“Ndërsa në anën tjetër BE mund të marr një mori veprimesh madje duke blloku KiE dhe procesin e liberalizmit te vizave dhe ndalimin e fondeve për Institucionet tona”, tha ai.

Thaçi: Ndëshkimi i rashës i SHBA-së është ndërprerja e shkollimit të oficerëve të FSK-së nga ushtria amerikane

Analistja politike, Ardiana Thaçi për Arbresh.info potencoi se përjashtimi nga ‘Defender 23’ është vetëm një paralajmërim i SHBA-së për Qeverinë e Kosovës.

“Përjashtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga “Defender 23” është vetëm një paralajmërim i sanksioneve nga ShBA-ja kundrejt Kosovës, e cila vjen si pasojë e mos koordinimit dhe marrjes së vendimit “krye në vete” nga Qeveria Kurti. Kujtojmë që ShBA-ja ka dhënë shumë për Ushtrinë e Kosovës, duke nisur nga pajisjes ushtarake e deri te shkollimi dhe trajnimi i oficerëve të FSK-së. ShBA-ja gjithnjë e ka konsideruar FSK-në si një aleate të saj edhe atëherë kur ajo nuk e kishte mandatin ushtarak”, tha ajo.

Siç thotë Thaçi, ndëshkimi i radhës nga SHBA-ja për Kosovën mund të jetë ndërprerja e shkollimit të oficerëve të FSK-së nga Ushtria Amerikane.

Thaçi thotë se si rrjedhojë e gjendjes aktuale, edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare mund të kemi ndëshkime siç është shtyrja e liberalizimit të vizave.

“Për fund, përjashtimi është hapi i parë, hapi i dytë mund të jetë ndërprerje e shkollimit të oficerëve të FSK-së nga Ushtria Amerikane që mbahen në Amerikë dhe Evropë”, tha Thaçi.

“Vendosja e sanksioneve të ShBA-së, partnerit kryesor dhe më të rëndësishëm të Kosovës, mund t’u hapë rrugë edhe sanksioneve që mund të vijnë nga bashkësia ndërkombëtare dhe normalisht, procesi aktual, pothuajse i përmbyllur, ai i liberalizimit të vizave, mund të shtyhet, si pasojë e këtyre sanksioneve”, tha Thaçi.

Thaçi: Nuk do të ketë çnjohje, as njohje të reja

Tutje Thaçi u shpreh se si pasoj e kësaj nuk beson që do të ketë çnjohje, por siç potencon ajo, nuk do të ketë njohje të reja për Kosovën.

“Nuk mund ta them me siguri se kjo situatë mund të sjellë tërheqje të njohjeve, por e sigurt është njohje të reja të shtetit të Kosovës në këtë periudhë nuk do të ketë. Mirëpo, e gjitha do të varet nga reagimi dhe reflektimi i Qeverisë dhe diplomacisë kosovare për të parandaluar fushatën që Serbia mund ta bëjë duke shfrytëzuar tensionet në veri, ani pse kjo situatë është shkaktuar nga vetë ajo, duke e luajtur si rëndom rolin e viktimës”, deklaroi Thaçi.

Që nga ardhja e Qeverisë Kurti sipas Thaçit raportet më SHBA-në janë zbehur për shkak të qëndrimeve të tij.

Maliqi: Sanksionet e SHBA-së ndaj Kosovës, të parat në histori

Analistja politike, Afërdita Maliqi për Arbresh.info ka thënë se moskoordimi i Qeverisë me SHBA-në sjell fatura, siç ishte kjo e përjashtimit të FSK-së nga ‘Defender 23’.

“Sanksionet që ka vendos ShBA ndaj Kosovës janë të parat në histori, duke e ditur se aleati kryesor i Kosovës është ShBA. Qeveria e Kosovës është dashtë të koordinojë veprimet me SHBA, sepse veprimet e njëanshme dhe pa koordinim sjellin edhe faturën për neve, siç ishte edhe rasti i fundit”, tha Maliqi.

Tutje, ajo theksoi se Qeveria e Kosovës është paralajmëruar nga SHBA dhe BE që do të përballet me sanksione të reja nëse vazhdon kështu.

Sipas saj, kritikat dhe qortimet ndaj Kurtit, janë më të ashprat që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe këtë do ta vuajnë qytetarët.

“ShBA dhe BE kanë lajmëruar se nëse Qeveria do të vazhdojë të bëj hapa të njëanshëm, do të përballet me sanksione, edhe në këtë pikë kryeministri Kurti nuk duhet të jetë kryeneç në veprime, duke anashkaluar faktorin ndërkombëtar. Kritikat dhe qortimet që këtë rast ka marrë kryeministri Kurti janë më të ashprat që ka marrë Kosova që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Andaj, Kurti duhet të jetë më syçelë dhe të bashkërendojë veprimet, sidomos me SHBA-të, ndryshe kritikat dhe sanksionet mund ta dëmtojnë edhe vetë Kurtin, por çka është më e rëndësishmja do t’i vuajnë qytetarët e Kosovës”, tha Maliqi për Arbresh.info.

Por, çfarë ndodhi disa ditë më parë para sanksioneve?

Që nga 26 maji, në tri komunat veriore Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, serbët kanë organizuar protesta. Kjo për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill, në objektet komunale.

Situata ishte tejet e tensionuar të hënën e 29 majit, kur pati edhe përleshje në mes të KFOR-it dhe protestuesve. Si rezultat i sulmit nga protestuesit serbë 30 ushtarë u lënduan, në mesin e tyre tre nga arma e zjarrit.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes për më shumë se një vit ka investuar për të marrë pjesë në ushtrimin ushtarak ‘Defender 23’.

Me 21 maj, Forcat e Sigurisë së Kosovës nisën ushtrimin më të madh ushtarak ndërkombëtar si nikoqire e 25 shteteve partnere me mbi 22 mijë ushtar.

Kujtomë se ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, paralajmëroi edhe të tjera sanksione në rast të mos plotësimit të kërkesave të ndërkombëtarëve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i kanë bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, që të organizojnë zgjedhje të reja në këto komuna.

Përveç organizimit të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje dhe të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Mbajtja e zgjedhjeve po flitet si mundësi pas presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri.

Presidentja Vjosa Osmani, nga Moldavia ka thënë se organizimin e zgjedhjeve e lejon rregullimi ligjor i Kosovës.
Kjo, sipas saj, mund të bëhet përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese, të cilët mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja.

Kryeministri Albin Kurti për BBC  ka thënë se është i gatshëm t’i dëgjoj propozimet për zgjedhjet në veri.

Ndryshe, nga zgjedhjet e fundit, kryetar në Mitrovicën e Veriut është zgjedhur Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Lulzim Hetemi në Leposaviq po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje, kurse nga Partia Demokratike e Kosovës, në Zubin Potok është zgjedhur Izmir Zeqiri, dhe në Zveçan Ilir Peci./ Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme