Ukraina është duke evakuuar mijëra njerëz të mërkurën, pasi sulmi në digën Kahovka ka rezultuar me vërshime të mëdha.
Dhjetëra fshatra tashmë i ka marrë uji i lumit Dnjepër, dhe ka shqetësime për katastrofë humanitare.
Uashingtoni ka paralajmëruar se shumë njerëz mund të vdesin, derisa Rusia dhe Ukraina e kanë fajësuar njëra-tjetrin për sulmin në digë.
Diga i ndan forcat ruse dhe ato ukrainase në jug të Ukrainës.
Kievi ka thënë se shkatërrimi i digës – kontrollin e së cilës e ka pasur Rusia prej nisjes së luftës – ka qenë tentim i Moskës për të penguar ofensivën e shumëpritur ukrainase.
Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ky rast nuk do të ketë ndikim në kundërofensivë.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, e ka mbajtur një takim urgjent të martën, me kërkesë të Rusisë dhe Ukrainës.
“Lajmet e sotme tregojnë se gjendja e njerëzve në Ukrainë vetëm sa do të përkeqësohet”, ka thënë zyrtari i lartë i OKB-së për Çështje Humanitare, Martin Griffiths.
OKB-ja ka paralajmëruar se mijëra njerëz mund të preken nga incidenti.
Njerëzit në Herson janë në kërkim të territoreve me lartësi më të madhe, teksa lumi Dnjepër shtrihet në qytet.
Autoritetet ukrainase kanë thënë se 17.000 njerëz janë evakuuar dhe një total prej 24 fshatrash janë vërshuar.
“Rreth 40.000 mijë njerëz janë në rrezik të vërshimeve”, ka thënë Prokurori i Përgjithshëm, Andriy Koston.
Diga Kahovka, me lartësi prej 30 metrash dhe gjerësi prej 3.2 kilometrash, është ndërtuar më 1956 në lumin Dnjepër, në kuadër të hidrocentralit Kahovka.
Ky rezervuar e furnizon me ujë Gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin e ka aneksuar Rusia më 2014, si dhe centralin bërthamor në Zaporizhja, i cili, po ashtu, është nën kontrollin rus.
Rezervuari ka ujë në sasi prej 13 kilometrash kub – sasi e përafërt me Liqenin e Madh të Njelmët në shtetin amerikan, Utah.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/
Përplasja e dy makinave i mori jetën të miturit në trotuar, ...
Hansi Flick vlerëson performancën e lojtarëve të tij pas fit...
DW: Serbia po armatoset – Sa ka rrezik për luftë në Ba...
Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, prokurorët nisi...
Izraeli miraton ligjin që mundëson dëbimin e familjeve të su...
Tifozët parisien i dalin në mbështetje Palestinës me një kor...