Drejtori Ekzekutiv i Frontex-it, Hans Leijtens u takua të martën në Pikën e Kakavijës me oficerët e trupave të përhershme të agjencisë të vendosur në kufirin me Greqinë dhe me Policinë Kufitare Shqiptare për të përforcuar angazhimin në mbrojtjen e të drejtave të migrantëve të parregullt.
Takimi pason nënshkrimin një ditë më parë të një marrëveshjeje mes Ministrisë së Brendshme shqiptare dhe FRONTEX-it, ku të dy palët ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin e tyre për mbrojtjen e të drejtave themelore.
Drejtori Ekzekutiv i Frontex-it, Hans Leijtens e ka vlerësuar nëshkrimin e marrëveshjes me ministrin e Brendshëm shqiptar Bledi Çuçi si një moment historik që konfirmon angazhimin e përbashkët për të mbrojtur të drejtat themelore në të gjitha aktivitetet operacionale të FRONTEX në Shqipëri.
Marrëveshja, sipas Leijtens “është më shumë se një nënshkrim në letër, është një shprehje e prekshme e përkushtimit tonë kolektiv për të mbështetur dinjitetin dhe sigurinë e të gjithë atyre që kalojnë kufijtë evropianë”.
Marrëveshja synon të sigurojë shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin ndërmjet agjencisë europaine policore të ruajtjes së kufijve dhe autoriteteve shqiptare në lidhje me pretendimet për shkelje të të drejtave themelore në aktivitetet operacionale të Frontex-it në territorin e Shqipërisë.
Si Frontex-i ashtu edhe autoritetet shqiptare kanë mekanizma të pavarur ankesash në fuqi dhe marrëveshja ndërton një urë lidhëse mes tyre.
Frontex është përgjegjës për trajtimin e të gjitha ankesave kundër shkeljes së pretenduar të të drejtave themelore të kryera nga anëtarët e ekipeve policore gjatë operacioneve në zonat kufitare, ndërsa autoritetet shqiptare, të stafit të tyre.
Në shkurt të vitit 2022, Zyrtari për të Drejtat Themelore të Frontex, Jonas Grimheden, dhe Avokati i Popullit shqiptar nënshkruan një marrëveshje të veçantë për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit.
Frontex-i nisi operacionin e përbashkët në Shqipëri, operacionin e parë të agjencisë në Ballkanin Perëndimor, në maj 2019.
Aktualisht janë 162 oficerë evropianë të rojeve kufitare që punojnë së bashku me Policinë Kufitare Shqiptare.
Objektivi kryesor i operacioni të përbashkët është administrimi efektiv i migracionit, lufta kundër formave të ndryshme të krimit ndërkufitar si trafikimi i qenieve njerëzore, kontrabanda e migrantëve dhe terrorizmi, dhe forcimi i përpjekjeve bashkëpunuese në kufirin e përbashkët tokësor midis Shqipërisë dhe Greqisë./VOA/
Dubois ‘i fik dritat’ Joshuas dhe mbron titullin...
Sekretet e mbijetesës në orbitë
”Google” shton rregullat, kontrolle kundër falsifikimeve dhe...
Kur barnat kundër dhimbjeve fillojnë të ndikojnë?
Consumer Reports zbulon dhjetë veturat më të mira dhe më të ...
10 këshilla që fëmija juaj të krijojë zakone të shëndetshme ...