Situata në veri, rritet bojkotimi i produkteve serbe

10:08 | 4 Qershor 2023
A Z

Që nga e premtja e 26 majit serbët e Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të zgjedhur me 23 prill në katër komunat me shumicë serbe.

E gjithë kjo “tollovi” ngjalli reagime dhe tensione në vend, por edhe nga ndërkombëtarët, raporton Arbresh.info.

Ngjarjet e ndodhura në veri që nga pas lufta e gjerë më tani, të paktën kanë ndikuar në vetëdijesimin e  madh të qytetarëve të Kosovës për të mos blerë produktet serbe.

Kështu thotë për Arbresh.info, Burim Piraj, pronar i kompanisë “MEKA Hallall Food” si dhe anëtarë i grupit  “Mos bli prodhime serbe”, grup ky që për qëllim bojkotin e produkteve serbe në Kosovë.

Ai thotë se duke i parë ngjarjet e fundit në veri të Mitrovicës, qytetarëve po u vije turp që të blejnë produktet serbe.

“Normal se kur ndodhin kësi lloj gjëra rritet bojkoti i produkteve serbe. Normalisht që qytetarët që blejnë produkte serbe iu vjen keq dhe turp para arkës që të blejnë këto produkte. Edhe në normalizimin e situatës prapë ka disa që ende blejmë. Më vjen keq pse ata nuk kanë ndjenja dhe nuk kanë një pikë të vullnetit për të kontribuohet diçka për vendin tonë”, thotë Piraj.

Sipas tij, fatkeqësisht ende ekziston një pakicë e qytetarëve, të cilët ende janë konsumatorë të produkteve serbe.

“Ka një vetëdijesim mirëpo po vazhdon ende të blihet. Nuk e di se pse disa janë këmbëngulës për të blerë ende produkte të Serbisë. Ka shumë arsyeja jo vetëm ngjarjet e fundit në veri, janë ngjarje që kanë ndodhur qysh nga lufta e fundit mes Serbisë dhe Kosovës. Dhe disa nga qytetarët po marrin guximin që në shportën e vet të vendosin produkte të Serbisë. Për dy dekada kemi menduar se do të ndryshoj situata mes dy vendeve dhe do të ndryshoj qasje e Serbisë, edhe pse shumë prej neve e kemi ditë se çfarë qëndrimi ka kundër Kosovës është vështirë që qytetarëve tua ndryshojmë mendimin”, shprehet Piraj.

Ai, thotë se falë kësaj fushate ka ulje të konsumit, e cila përben 7 për qind të tregut kosovar dhe për periudhën e katër mujorit të fundit, sipas tij, ka 15 milionë kilogramë më pak importe nga Serbia.

“Do të duhet kohë derisa qytetarët të kuptojnë mirë njëherë e përgjithmonë edhe kur ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, se nuk e meriton Serbia që të blejnë qytetari kosovar produkte nga Serbia sepse ata na kanë shumë borxh. Fushata e ka pjesëmarrjen pak më të kënaqshme sesa që e kemi menduar, vetëm në këtë vit ne kemi 15 milionë më pak importe nga Serbia për katër mujorin e parë të këtij viti në krahasim me vitin paraprak” pohon ai.

Por i shqetësuar, ai u shpreh për mashtrimet që po ndodhin me ndërrimin e simboleve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë nga disa tregtarë.

Mashtrimi me simbole shtetërore tek produktet serbe në maketet kosovare

Piraj, thotë se ka jashtëzakonisht keqpërdorime, mirëpo ai nuk fajësoi dyqanet por agjentët të cilët bëjnë mashtrime në distribuominin e produkteve e serbe në Kosovë.

“Ka jashtëzakonisht keqpërdorim shumë dhe për çudi flamujt i ndryshojnë vetëm për produktet serbe, kur është fjala për produktet serbe dhe ato të Kosovës, produkte të Kosovës iu vendoset flamuri i Serbisë ndërsa i Serbisë i vendoset një flamur tjetër, kjo nuk është e rastësishme. Nuk kanë faj dyqanet sepse shpesh herë ata agjent që bëjnë distribuomini e produkteve serbe ata ndikojmë dhe bënë këto gjëra që t’iu shiten produktet nëpër dyqane”, shprehet ai.

Piraj, u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bojkotojnë produktet serbe që të mos i fuqizojnë ekonominë e Serbisë, duke shtuar se të gjithë atë fuqizimi që po e merr po e krijon si kërcënim ndaj nesh.

Ndërsa, anëtarja e grupit “Besa-Besë”, Almira Qupeva, thotë për Arbresh.info se qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen, duke mos blerë produkte me shifrën 860XXXX.

“Qytetarët kane filluar të ngritin vetëdijen e tyre ne raport me kauzën tone si grup, dhe tashme kampanja jone pothuajse ka prek çdo shtrese të shoqërisë sonë. Me anë të organizimit të aktiviteteve të ndryshme neve kemi arritur po ashtu të rrisim vigjilencën dhe të ndikojmë në edukimin e qytetarëve për të mos blerë produkte me 860XXXX”, shprehet Qupeva.

Sipas saj, përkundër situatës në veri, qëllimi i këtij grupi është që të ngritët vetëdijesimi i qytetarëve për bojkot të produkteve serbe.

“E natyrshme të elektrizohet masa kur ka ngjarje në veri sidomos si këto rrethanat momentale , por vlen të theksohet aktiviteti ynë është tërësisht paqësore dhe qellim kryesore e ka ngritjen e vetëdijes qytetare për bojkot të produkteve serbe dhe mos fuqizimit shtetit i cili ende ka tendenca me krijuar konflikte në vendin tonë”, tha ajo.

Mashtrimet me simbolet e flamujve anëtarja e këtij grupi ka potencuar se këtë problematikë e ka adresuar tek ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

“Ne takimin të cilin e kemi zhvilluar me zonjën Rozeta Hajdari, e kemi shprehur si shqetësim tonin mos zbatimin e udhëzimit i cili e rregullon çështjen e flamujve dhe duke ju falënderuar anëtareve të grupi këto shkelje janë adresuar në inspektoratin e tregut dhe bizneset qe kanë bërë keqpërdorime të tilla kanë marr dënime”, thekson ajo.

Ndryshe, grupi “Mos bli produkte serbe” është themeluar në vitin 2011 më 21 shtator, ndërsa grupi “Besa Besë”, është themeluar në shtator të vitit 2021. Të dyja këto grupe kanë për qëllim bojkotimin e produkteve serbe./Arbresh.info/Diellza Gashi/

Të ngjashme