Google ADS

Inhalim nga kosherja e bletëve- mrekullia e mjekësisë alternative

14:52 | 3 Qershor 2023
K.B

Me ardhjen e pranverës kanë filluar punën edhe bletët punëtore.

Shumica e njerëzve i njohin bletët për dy gjëra, ëmbëlsinë e mjaltës së tyre, ose pickimet e tyre.

Por, bletët njihen gjithashtu edhe për mrekullinë që sjellin tek shëndeti i njeriut.

Kjo shtëpizë prej drurit, është e ndërtuar në natyrën e bukur të Shkugëz në Gjakovë, e cila në pjesën e pasme, ka hyrjen ku futen bletët.

Brenda shtëpizës janë zgjoit e bletëve dhe aparatet për inhalim natyral që janë të instaluar drejtpërdrejt nga kosherja e bletëve.

Leonora Dautaga është api-terapistja e parë në Kosovë e licencuar dhe e akredituar në Gjermani, e cila përdor metodën e inhalimit direkt nga kosherja e bletës.

Dautaga ka hapur qendrën e saj disa javë më parë, ku mundëson inhalimin nga kosherja e bletëve për personat që kanë probleme me shëndetin, kryesisht me sëmundje kronike.

Dyert e qendrës “Klea” u hapën edhe për ekipin e portalit Arbresh.info, nga ku na tregoi më gjerësisht për procedurën e punës që bënë.

“Unë kam bërë promovimin e nismës së Api-terapisë gjegjësisht ajro-terapisë me inhalim natyral nga kosheret e bletëve. Metoda si e tillë është shumë efikase dhe ka përdorim të gjerë në shumë vende të botës. Metoda si të tilla kanë përdorim të gjerë në sëmundjet kronike të mushkërive si spok, bronkiektazi, bronkite kronike, sinusit kronike, bajame, për imunitet e shumë tjera”, tha Dautaga për Arbresh.info.

Shtatë vjet më parë, në Gjermani është mbajtur Kongresi i 14-të i Api-Terapisë, ku ka marrë pjesë edhe Dautaga e cila ka parë nga afër rendësin e metodës së Mjekësisë Alternative, siç është Api-terapija.

“Në vitin 2016 kam pas fatin me marr pjesë në Kongresin e 14-të të Api-terapisë në Passau të Gjermanisë, dhe atu pamë se sa të rëndësishme dhe efikase mund të jenë metodat aplikative të mjekësisë alternative siç është Api-terapija. Api-terapija është shumë efikase sidomos tani në kohën e pandemisë covid-19”, shtoi Dautaga.

Ajo tregon se interesim është i madh për marrjen e Api-terapisë, ani pse ka vetëm disa javë që është hapur.

“Për këtë terapi patjetër që ka shumë interesim për shkak se kjo terapi është bio, është që e ka kriju i madhi Zot, është diçka madhështore”, u shpreh ajo.
Dautaga na tregon për procedurën e përdorimit të inhalimit.

“Kjo është dhoma api-ajër prej druri që ndihmon në imunitet që shëron gjendje dhe sëmundje të ndryshme, përmirëson shëndetin e njeriut. Dhomat ajër janë shtëpi prej drurit të cilat pacientët ulen dhe thithin ajrin shërues nga zgjua me ndihmën e inhalmatorave special. Paraprakisht në bëjmë një test në seancën e parë sepse minimi kemi 10 seanca, pacienti pyetet a ki reaksion alergjik në bletë, helm të bletës, polen, propolis e të tjera. Ne si staf shëndetësor i specializuar si api-terapeuta të certifikuar dhe të licencuar në Gjermani, së pari bëjmë matjen e tensionit arterial pastaj shikojmë shenjat vitale. Një ndër testet është matja e satorimit të oksigjenit matja e pulsit dhe është Peak Flolow Meter që shikon prezencën e oksigjenit në mushkri”, tregon ajo.

Api-terapinë, sipas saj, mund ta përdorin të gjitha moshat, që nga gjashtë muaj e tutje.

Mirëpo, një problem Dautagës i është shfaqur në Kosovë, pasi licenca e akredituar në Gjermani si api-terapeutiste nuk po i pranohet këtu.

Ajo kërkon nga institucionet kompetente që të pranohet akreditimi pasi, sipas saj, një terapi e tillë është e nevojshme për njerëzit në Kosovë.

“Kriter numër një për gjermanet, për api-terapetutat e ardhshëm është të jetë staf shëndetësor. Në të njëjtën kohë edhe bletarë, d.m.th. duhet me e njoft botën e bletës edhe të jesh api-terapeut. Përveç certifikatës që morëm nga gjermanët, sivjet në 2023 u licencuam të parët në Kosovë dhe tash kjo licencë shërben e para për Kosovë dhe njihet ndërkombëtarësh, pra licencë internacionale. Mesazhi im për qeverinë tonë është që ta ngritin si pikë të rëndësishme në parlament për njohjen e api-terapisë në Kosovë ngase shoqata e api-terapisë veç është formuar”, tregoi ajo.

“Kauza jonë është që të njihet api-terapia në Kosovë, sidomos licenca. Derisa e njeh një shtet i fortë siç është Gjermania, pse jo mos të njihet edhe në shtetin tonë. Dhe mesazhi im është që kjo eksperiencë të shpërndahet tek të gjithë, mirëpo sidomos tek femrat bletare dhe ta fuqizojnë këtë profesion që është shumë në leverdi të shëndetit të njeriut”, tha ajo.

Berat Kolludra nga Gjakova është përdorues i rregullt i api-terapisë.

Për të, Api-terapia është një ndihmesë shumë e madhe, pasi e lehtëson me sëmundjen që është i diagnostikuar.

“Këtë terapi e përdori qe afër gjashtë muaj. Më ka ndihmu shumë. Un kam një sëmundje, tumor malinje. Qe dy vjet e gjysmë jam në trajnim mjekësor, i kam bërë 40 rrezatime edhe 13 seanca kimioterapi. Fal doktoreshës Nora, që e falënderoi shumë, më ka ftu me be këtë trajnim edhe shumë kam pasur sukses. Ju kisha sugjeruar kush ka nevojë, le të vinë ta provojnë se ka sukses shumë”, tha Kolludra për Arbresh.info.

Ndërsa, Amra Gashi udhëton nga Peja për në Gjakovë për të përdorur inhalim nga kosherja e bletës.

Ajo, është duke e marrë terapinë e tetë me radhë dhe sheh përmirësim të madh në gjendjen e saj shëndetësore.

“Api-terapinë e përdori është e teta ditë, e teta seancë d.m.th. Sa i përket gjendjes kom shumë përmirësim, me thonë bile 60 për qind se un nuk kam mund as tri shkallë mi ngjit. Dje, bash kam provu nja 10 i kam hip. Edhe me ec po eci më lehtë, po flejë më mirë. I falënderoj shumë për mirëpritjen e tyre, udhëzimin e tyre”, tha Amra.

Në qendrën Api-terapisë “Klea” në Gjakovë do të kryhen edhe disa shërbime të tjera të specializuara

“Këtu do të kryen edhe disa shërbime të tjera të specializuara që i kemi parë eksperiencat në Gjermani. Këtu është në funksion api-kumora ndryshe është shtrati i dremitjes, ku pacienti vjen për tu çlodhur, e thith ajrin nga kosherja e bletës siç është propolisi, poleni, qumështi i bletës, dylli i bletës, helmi i bletës etj, që shumë benefite janë që e rregullojnë mirëqenien e shëndetit të njeriut”, theksoi Dautaga.

Ndryshe, Api-terapija është terapi e veçantë përmes bletëve të cilat mundësojnë shërimin e alergjive, bronkidit, trajtimit të asmës , sinuseve, migrenës, stresit e depresionit për të gjitha moshat.

Është terapi alternative që përdor ajrin që vjen nga kosherja bletëve./ Arbresh.info /Ejona Hyseni/



Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme