Për 5 muaj 113 mjek u larguan nga vendi, 300 pritet të largohen në 2023-tën

09:54 | 3 Qershor 2023
K.B

Numri i ikjes së mjekëve nga Kosova tashmë është bërë si trend. Për pesë muaj të këtij viti 113 mjekë braktisën Kosovën.

Kështu thotë për Arbresh.info Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

Sejdiu thotë se si shkaktar kryesor i këtyre ikjeve mbeten kushtet jo të mira, dhe papunësia.

“Numri i mjekëve që ikin nga Kosova deri dje ka qenë 113 kjo është ajo që e kemi parashiku, sidomos kur arsyet janë të njëjta si të vitit të kaluar, si ajo e papunësisë të mjekëve, kushtet e punës, këto janë arsyet dhe nëse këto nuk përmirësohen ky trend do të vazhdojë, tha ai.

Ai thotë se deri në fund të vitit numri do të arrijë deri në 300, që mjekët do ta braktisin Kosovën.
“Në fillim të vitit gjatë bisedave me kolegët e kemi parashiku që numri i atyre që do të ikin ose do të jenë në fazën përfundimtare të largimit nga Kosova do të jetë 300”, pohon ai.

Se kushtet jo të mira janë arsyeja kryesore thotë edhe njohësi i çështjeve të shëndetësisë, Bujar Vitija.

Vitija thotë se mjekët kanë nevojë për edukim përmes metodave të reja teknologjike, gjë që në Kosovë nuk ofrohet.

“Kushtet jo të mira janë arsyeja kryesore e ikjes së mjekëve nga Kosova. Mjekët e rinj kanë nevojë për edukim përmes metodave të reja dhe të avancuara teknologjike për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme dhe fatkeqësisht për disa prej tyre sistemi ynë shëndetësor nuk ua ofron”, tha Vitija për Arbresh.info

Përveç që duhet të rriten rrogat, Vitija thotë se duhet të përmirësohen edhe kushtet për edukimin e mjekëve të rinj.

“Andaj krahas rritjes së rrogave me Ligjin e ri, duhet të përmirësohen edhe kushtet për edukimin e mjekëve të rinj”, theksoi ai.

Ikja e stafit mjekësor po paraqitet si një problematikë dhe shqetësim në Kosovë këto dy vjetët e fundit.

Arsyet e ikjes së këtij stafi, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku prin Gjermania si destinacion, ndërlidhen me pagat dhe kushtet më të mira për punë.

Kujtojmë se në kohën kur iu dha drita e gjelbër Kosovës për liberalizimin e vizave, kishte shumë reagime, sidomos nga njohësit e shëndetësisë duke thënë se tanimë mjekët e kanë më të lehtë ikjen nga Kosova.

Vetëm në vitin 2022, 205 mjekë të rinj ikën jashtë Kosovës, derisa rreth 60 specialistë shëndetësorë e lanë Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), për të vazhduar të punojnë në spitalet private në vend ku u ofruan paga shumë më të mira.

Deri më tani, ministria dhe qeveria nuk kanë dal me ndonjë plan se si do ta adresojnë këtë sfidë të vështirë për të ardhmen e vendit, pasi nëse vazhdon të rritet numri Kosova në vitet e ardhshme rrezikon të mbetët pa mjekë e infermierë./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme