Kryetari i Zubin Potokut: Presidentja Osmani nuk na ka kontaktuar e as nuk na ka takuar

12:49 | 2 Qershor 2023
L G

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili mori mandatin pas zgjedhjeve të 23 prillit që u mbajtën në katër komunat veriore të Kosovës, flet ekskluzivisht për “Arbresh.info”.

Ai ka folur për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të katër komunave në veri dhe dorëheqjes së tij.

Zeqiri thotë se nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje edhe nëse një gjë e tillë i kërkohet nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

“ShBA-ja nuk e ka kërkuar dorëheqjen tonë, por nëse e kërkon kryeministri Kurti, duhet të analizohet se pse po kërkohet, cilat janë arsyet dhe pastaj e shohim. Por, nëse ma kërkon kështu nuk jam i gatshëm, sepse jam zgjedhur me vota të atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhje”, shprehet Zeqiri.

Ai thotë se nuk ka marrë asnjë telefonatë, apo takim nga e para e shtetit, Vjosa Osmani dhe kryeministri  vendit, Albin Kurti.

“Gjatë gjithë këtij procesi, Presidentja as nuk na ka ftuar, as nuk na ka takuar. Kështu që nuk e di çfarë po flet ajo për momentin dhe arsyen. Kjo situatë do një analizë të zgjeruar sipas mendimit tim dhe maturisht ne do t’i marrim hapat e duhur”, tha.

Kreu i Zubin Potokut, i cili vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pohon se nuk është aktualisht në objektin qendror të Komunës që gjendet në qendër të qytetit, por është në aneksin e saj, aty ku edhe është betuar.

“Jo jam në aneks të objektit të Komunës, aty ku edhe e kam bërë betimin, nuk jam në objekt të Komunës në qendër të qytetit. Këtu po mundohemi me u konsoliduar sepse kam humbur shumë kohë për themelimin e kabinetit ashtu, dhe plotësimin qysh duhet. Po punojmë në atë drejtim që teknikisht me u përgatitë për pak kohë”, thekson Zeqiri.

Ndryshe, që nga e premtja e javës së kaluar pra 26 maj, kanë nisur protesta të dhunshme nga qytetarët serbë të pritur nga udhëheqësit e Listës Serbe, të cilët po kërkojnë largimin e kryetarëve me përkatësi shqiptare nga objektet e komunave që banohen me shumicë serbe. Po ashtu protestuesit po kërkojnë edhe largimin e Njësisë Speciale të Kosovës, që po i ruajnë objektet.

Më pas ShBA dhe Bashkimi Evropian, fajësuan më shumë Institucionet e Kosovës, duke thënë se me forcë po duan t’i vendosin kryetarët në objektet komunale, ndërsa pak dhunën e ushtruar nga protestuesit serbë.

Të enjten u hap mundësia e shkuarjes në zgjedhje të reja për katër komunat e veriut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.

“Ata kërkuan nga Kosova që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri që do tu jepte qytetarëve serbë mundësinë që të marrin pjesë dhe të zgjedhin kryetarë me legjitimitet më të madh. Unë i informova ata që rregullimi ynë ligjor e lejon atë mundësi dhe jemi të gatshëm ta konsiderojmë bazuar në Ligjin e Kosovës për Zgjedhje”, tha presidentja Osmani./Arbresh.info/ Pleurat Salihu/

Të ngjashme