Protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës vazhdojnë edhe sot – për të pestën ditë me radhë.
Derisa në ditët e para numri i protestuesve ka qenë relativisht i madh, dje shifrat kanë rënë dukshëm.
Megjithatë pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, mëngjesin e sotëm kanë marrë pozicionet e tyre në Zveçan.
Kjo pasi qindra protestues serbë u mblodhën qysh në orët e hershme të mëngjesit për të vazhduar protestën kundër kryetarit shqiptar të komunës.
Disa prej tyre ngritën pankarta, ku shkruan: “Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”, “Duam paqe, jo gaz lotsjellës e shok-bomba”.
Ata nuk nxorën asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tyre për dëbimin.
Para protestuesve në Zveçan foli Natasha Aksenitijeviq, nga Autoriteti i Përkohshëm Komunal, i cili punon në sistemin serb. Ajo tha se “ata janë penguar të ofrojnë shërbime për qytetarët dhe se janë të rrezikuar”.
Në ndërtesën komunale në Zveçan, e cila është siguruar nga KFOR-i që nga e hëna, është vendosur kryetari i ri shqiptar ku më parë punohej vetëm sipas sistemit serb .
Serbët atje po protestojnë sepse nuk e pranojnë kryetarin shqiptar, i cili i fitoi zgjedhjet lokale të prillit në Kosovë. Këto zgjedhje komuniteti serb i bojkotoi.
“Ajo që kërkojmë është që forcat speciale të largohen menjëherë nga ndërtesa, që ne të kthehemi në zyrat tona dhe të vazhdojmë punën tonë… dhe të mos vijë ai kryetar fals në Zveçanin tonë se ne nuk e kemi zgjedhur”, tha Aksentijeviq, raporton REL.
Në emër të mësimdhënësve foli Ana Galjak, mësuese në shkollën e mesme në Zveçan, e cila tha se “të gjithë fëmijët kanë të drejtë për paqe”.
“Kushtet këtu janë të pamundura për punë, të pamundura që fëmijët tanë të qëndrojnë në shkollë”, tha ajo.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...