Rama dhe Kovaçevski takohen me Zelenskyn

19:24 | 1 Qershor 2023
Orgesa Haziri

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në anën e duhur të historisë, theksuan kryeministrat Rama e Kovaçevski në takimin e përbashkët me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky,  në Samitin e Dytë të Komunitetit Politik Evropian në Kishinau.

Ata e garantuan presidentin Zelensky se mbështetja për Ukrainën vazhdon për aq kohë sa është e nevojshme për popullin ukrainas.

Në takim, ata  i kanë përcjellë Zelenskyt mbështetjen që japin për mbrojtjen e popullit të guximshëm ukrainas, nga agresioni i pajustifikuar brutal ushtarak që Rusia po kryen kundër Ukrainës.

Të dy shtetet ballkanike e dënojnë agresionin brutal ushtarak që Rusia po kryen kundër Ukrainës së pavarur dhe sovrane. Ato mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e saj për të përcaktuar rrugën e saj.

Zelensky ka falënderuar për mbështetjen shqiptare e maqedonase që vjen në momente vendimtare dhe për faktin se vendi ka qenë në krah të Ukrainës që nga dita e parë.

“Ju nuk keni bërë llogaritë, keni qenë pranë nesh që nga dita e parë dhe popullit ukrainas dhe ne e vlerësojmë këtë”, u tha Zelensky.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e grupit themelues për themelimin e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare për krimet e agresionit rus. /tvklan.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme