Kryeministri britanik Rishi Sunak vizitë në Uashington javën e ardhshme

22:30 | 30 Maj 2023
Orgesa Haziri

Presidentin Joe Biden do të presë javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë, Kryeministrin britanik Rishi Sunak.

Dy udhëheqësit do të diskutojnë mbi çështje që kanë të bëjnë me përmirësimin e lidhjeve ekonomike dhe vazhdimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën ndërsa përballet me agresionin rus.

Zoti Sunak do të qëndrojë në Uashington të mërkurën dhe të enjten e javës që vjen për takime me Presidentin Biden, ligjvënës amerikanë si dhe drejtues biznesesh.

Zëdhënësi i zotit Sunak tha të martën se nuk do të ketë bisedime për një marrëveshje zyrtare të tregtisë së lirë.

“Vizita do të jetë një mundësi për të avancuar me tej bisedimet që kryeministri dhe Presidenti Biden zhvilluan muajt e fundit, lidhur me rritjen e nivelit të bashkëpunimit dhe koordinimit mes Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve për sfidat ekonomike, që janë përcaktuese për të ardhmen tonë”, tha zëdhënësi.

Si një ndër temat e diskutimit ai përmendi mbështetjen e dy vendeve për Ukrainën.

Kjo është vizita e parë zyrtare në Uashington e zotit Sunak që prej emërimit të tij në detyrën e kryeministrit në tetor.

Ai synon të krijojë marrëdhënie më të mira me SHBA-të, marrëdhënie që u tensionuan pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian në vitin 2020.

Në prill, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë u detyrua të hidhte poshtë disa pohime sipas të cilave zoti Biden është “anti-britanik”, qëndrime që u shfaqën pasi presidenti amerikan kaloi më shumë se gjysmë dite në provincën britanike të Irlandës së Veriut, përpara se të nisej drejt Republikës Irlandeze, për 2 ditë e gjysmë takimesh.

Administrata Biden ka treguar pak interes për të negociuar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Mbretërinë e Bashkuar.

Diskutimet kishin përparuar gjatë administratës së ish-Presidentit amerikan Donald Trump, përpara se Presidenti Biden të vinte në pushtet, por më pas ato ngecën.

Zëdhënësi i zotit Sunak tha të martën se gjatë kësaj vizite nuk do të zhvillohen bisedime për një marrëveshje të tregtisë së lirë. Vizita sipas tij do të përqëndrohet në reduktimin e pengesave tregtare në mënyra të tjera, siç janë marrëveshjet me shtete individuale.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se të dy udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu situatën në Irlandën e Veriut, e cila prej më shumë se një viti nuk ka një qeveri funksionale.

Marrëdhëniet e Britanisë me Shtetet e Bashkuara janë pjesërisht të ndërtuara mbi lidhjet e ngushta në fushën e mbrojtjes, zbulimit, lidhjet ekonomike dhe kulturore. Po kështu dy vendet janë në të njëjtën sa i takon mbështetjes ndaj Ukrainës.

Zoti Sunak pranoi ftesën e zotit Biden për të vizituar Shtëpinë e Bardhë në mars, kur të dy udhëheqësit u takuan në San Diego për të përuruar fazën tjetër të një aleance mes Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Australisë, e njohur si marrëveshja AUKUS.

Falë saj është parashikuar t’i sigurohen Australisë nëndetëse luftarake me energji bërthamore prej fillimit të viteve 2030, me synimin për t’iu kundërvënë ambicieve të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit./VOA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme