Nga: Fatos Lubonja
Të më falë lexuesi që po e filloj këtë shkrim me një fyerje, por duke kërkuar ndjesë për lirinë e fjalës po them se është idiot politik i pashpresë ai që nuk e ka kuptuar se Sali Berishës, Edi Ramës dhe shumicës së mbështetësve që kanë prapa nuk u kërcet as për veteranët e luftës as për ish të persekutuarit, por vetëm për pushtetin dhe paranë e tyre. Shtova epitetin “politik” thjesht për mirësjellje se mund të thosha edhe thjesht idiot. Megjithatë në vazhdim të këtij artikulli do ta zëvendësoj fjalën “idiot” me atë “miop”.
Që ka të tillë miopë në Shqipëri kjo është e sigurt, por, megjithatë, jam i bindur se numri i tyre është i vogël për të justifikuar tërë këtë fushatë që po bëhet me akuza e kundërakuza për ca veteranë që na qenkan dekoruar, sepse paskan qenë hetues dhe për ca ish të persekutuar që po lëvizin nga varri nga ky zbulim. Këtë “zbulim” të madh arkeologjik, në fakt, ne ka kohë që e shohim në natyrë të hapur, mes nesh – mjaft të kesh parasysh se vazhdojmë të nderojmë e dekorojmë tërë aradhën e artistëve dhe krijuesve që i kanë kënduar socializmit dhe shokut Enver duke inspiruar me ndjenja urrejtjeje dhe pamëshire ndaj armikut të klasës edhe aradhat e hetuesve. Prandaj, sipas meje, shumica e shqiptarëve e di mirë se po shohin një melodramë të shpifur dhe të imponuar nga agjenda e politikës së regjisorëve të vjetër që nuk emocionon më as edhe vetë miopët politikë. Atëherë, si ka mundësi që kjo melodramë ka pushtuar tërë skenat kryesore mediatike?
Ka vetëm një shpjegim: sepse kjo puna e dekomunistizmit, ashtu si dhe reforma në drejtësi, janë dy tema që emocionojnë shumë ambasadorët e huaj sot, aq sa moskapërcimin e këtyre dy pengesave ata e quajnë shkakun e shkaqeve pse jemi në këtë gjendje.
Dhe këtu po dal tek një problem që e ngre jo për herë të parë. Ne kemi një klasë politike që, duke e humbur gjithnjë e më shumë legjitimitetin brenda vendit, kërkon ta kompensojë atë me legjitimitetin që i japin ndërkombëtarët – sindromë kjo e vjetër sa shteti shqiptar, në fakt, sepse pushteti historikisht tek ne është marrë në sajë të ndërkombëtarëve dhe është mbajtur në sajë të mbështetjes së tyre politike dhe ekonomike. Në kontekstin e kësaj kulture politikanësh dhe shteti të dështuar Edi Rama ka bërë një sërë operacionesh për tu prekur telat ndërkombëtarëve për t’i bindur ata se, më në fund, në Shqipëri po ndodh revolucioni kulturor i shumëpritur: reforma në drejtësi dhe dekomunistizimi. Dhe me stilin enverist të propagandës po ua paraqet sikur karvani i maleve të Shqipërisë po i prisnin këto reforma me në krye Edi Ramën siç prisnin dikur Partinë e Punës me në kryer Shokun Enver për ta udhëhequr popullin shqiptar nga fitorja në fitore. Dhe, me sa duket, ndërkombëtarët i janë bashkuar karvanit me gëzim pa e ditur se ku po i çon.
Ligji i dosjeve, Bunkarti, Shtëpija me Gjethe, së fundi edhe bunkeri prapa Ministrisë së Brendshme janë disa nga aksionet spektakolare që ka ndërmarrë Rama me të tijtë për të emocionuar ndërkombëtarët e që po na paraqiten deri edhe nga gazetarë të huaj si fillimi i rilindjes shpirtërore në Shqipëri. Kjo i ka nervozuar demokratët, dhe jo krejt pa të drejtë, sepse, në rolet që kishin në melodramën që ka njëzetepesë vjet që luhet, ata kanë pasur një ndarje rolesh; dhe rolin e mbrojtësve të të persekutuarve e kishin demokratët kurse mendja totalitare dhe e pabesë e Ramës kërkon t’ua marrë edhe këtë rol, siç u ka marrë biznesmenët, pronarët e medieve, universitetet private e ku di unë çka mbetur tjetër. Kjo shpjegon edhe reagimin e fortë të tyre për veteranët hetues të dekoruar, që u drejtohet, edhe ai, kryesisht ndërkombëtarëve.
Tani, pyetja që shtroj unë është: mirë ne që s’kemi kujtesë institucionale sepse sa vjen njëri në pushtet i nxjerr të gjithë jashtë nga zyrat dhe i mbush ato me fillestarë, por as këto ambasadat e huaja nuk paskan asnjë lloj kujtese institucionale, por sa vjen një ambasador gjërat fillojnë nga mashtrimi i parë sikur të jemi në vitin 1991? Sepse, kush ka sadopak kujtesë historike, nuk mund të harrojë se, nëse është folur për reformë dekomunistizimi dhe reformë në drejtësi në Shqipëri kjo ka ndodhur në kohën e qeverisjes së parë të Sali Berishës. Harruat që futi në burg Nexhmije Hoxhën, Ramis Alinë, Aranit Çelën e shumë të tjerë duke hartuar edhe ligjin për gjenocidin? Harruat që ndërroi gjyqtarët e komunizmit duke i zëvendësuar me ata të plepave? Por le të ndalem tek dekomunistizimi se për reformën në drejtësi do të shkruaj herën tjetër. Pra, a nuk kemi pasur ne një ligj a ku di unë që merrej me punën e dosjeve madje edhe të lustracionit e që lidhej me emrat e Mezinit e të Bezhanit? A nuk e kishim ne Burgun e Burrelit muze të diktaturës? A nuk ka hapur Berisha një pavijon te Muzeu Kombëtar kundër diktaturës. A nuk ka riabilituar Berisha kushedi se sa figura të persekutuar e pushkatuar nga komunizmi duke i bërë “Nderi i Kombit”, (duke përjashtuar ata me prejardhje komuniste si Fadil Kokomani e Vengjel Lezho, sigurisht)? A nuk ka pasur ai në atë kohë mbështetjen e zjarrtë të Aleatit të madh SHBA, të vetë ambasadorëve Amerikan dhe Italian veçanërisht? Askush nuk i mohon dot këto, por as faktin se megjithatë punët shkuan keq e mos më keq. Aq keq sa shqiptarët, paradoksalisht, për të rrëzuar Berishën u mbështetën tek partia që kishte udhëhequr persekutimin e tyre. Dhe madje as nuk reaguan kur këta i nxorën nga burgu Ramis Alinë me shokë dhe u dhanë pafajësinë; as kur burgun e Burrelit e kthyen nga muze në burg për ordinerët. Po pse? Sepse problemi ishte se këtë dekomunistizim Berisha e bëri me stil komunist, nën parullën “i gjithë pushteti sovjetëve”, për të delegjitimuar, sipas shembullit të luftës së klasave, që i ndante njerëzit me familje të mirë dhe të keqe, ata që nuk e mendonin si ai çdo gjë që bënte ai. Problemi i dekomunistizimit të Berishës ishte enverizmi në mendjen e tij, ëndrra për tu bërë një Enver i dytë.
Dhe pas njëzetepesë vjetësh ky është problemi i sivëllait të tij Edi Rama. Edhe ai gjithçka po e bën sipas motos: “I gjithë pushteti Edi Ramës”, apo i asaj tjetrës: “Kur themi partia nënkuptojmë Edi; kur themi Edi nënkuptojmë partia.” Të kesh dyshim për këtë do të thotë të jesh më shumë se miop politik; sepse këtë ai e ka të shkruar në lulen e ballit të çdo aksioni që po ndërmerr. Ashtu sikurse faktin se për Ramën të bësh politikë do të thotë të bësh propagandë. Ja, këto ditë mora vesh se, nën atë bunkerin që u sulmua së fundi, nuk ka tjetër veçse disa zyra nëntokësore të MPB-së të ndërtuara në vitin 1986-1987. Ata që i kanë vizituar thonë se kanë qenë të thjeshta, të mobiluara me karrige e tavolina e asgjë më shumë dhe se nuk janë vënë kurrë në përdorim. Dhe hyrja e tyre ka qenë nga brenda Ministrisë së Brendshme. Kushedi se si do të na i paraqesin tani. Si dhoma torturash, ka gjasë, që po zbulohen për herë të parë. Mirëpo ç’rëndësi ka e vërteta? Rama me një gur vret dy zogj: bën këtë operacion për ndërkombëtar dhe, çka është më e rëndësishmja, përmirëson financat e klientelës së tij, duke u dhënë miliona për këto operacione, paçka se ndërkohë “jep” zero lekë për arkivat, për studime të së kaluarës komuniste e të tjera gjëra shumë më të rëndësishme për njohjen e vërtetë të komunizmit sesa këto butafori.
E pra, ndërkaq, punët me dekomunistizimin e vërtetë shkojnë keq e më keq. Sepse, nëse me regjimin komunist që kaluam do të kuptojmë pushtetin e një partie të vetme që me zërin e liderit të vet absolut pretendon se ka monopolin e së vërtetës, e një partie që ka kontrollin e ekonomisë, kontrollin e medieve, si dhe që përdor dhunën verbale dhe fizike ndaj atyre që nuk rreshtohen në llogoren e saj kundër armikut të partisë dhe të popullit, mendoj se pas njëzetepesë vjetësh Shqipëria deri dje e Sali Berishës ka hedhur me Edi Ramën një hap më tej drejt këtij vizioni sa të frikshëm edhe karikatureskt të regjimit komunist. Dhe kush ka shpresë se nga kjo do ta shpëtojnë ndërkombëtarët është një miop politik i pashpresë.
(Panorama, 23 dhjetor 2015)
Mbjellja e ullirit në Lushnjë, në 2024 u mbollën 9500 fidanë...
Në Barcelonë protestohet kundër rritjes së çmimeve të qirasë
Rama: Kemi larguar autolarjen duke eliminuar kështu pengesën...
Anisa: Driloni më ka treguar se me Sarën e ka pasur lojë
Skandal i madh në Mal të Zi, dyshohet se referi e goditi me ...
Xheneta-Gjestit: Baju, nuk dua të flas me ty