Me zhvillimin e teknologjisë është lehtësuar edhe jetesa e njeriut.
Inteligjenca Artificiale po përshpejton integrimin e saj të thellë në industri të ndryshme, e cila po forcon integrimin dhe zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe ekonomisë reale.
Robotët po luajnë një rol të rëndësishëm në të gjithë botën, pa përjashtuar edhe vendin tonë, raporton Arbresh.info.
Përdorimi i tyre po ndihmon të gjitha fushat jetësore të njeriut, përfshirë atë të mjekësisë, ushtrisë, argëtimit si dhe edukimit.
Roboti i quajtur Papper ka ardhur në Kosovë me qëllim të ndihmojë kolegjin “Heimerer” në fushën e mjekësisë.
Për rolin dhe rëndësinë e këtij roboti në këtë fushën e mjekësisë, na flet koordinatorja e projektit “Innovation Care and Robotics”, Erza Selmani, e cila thotë se ky robot ka ardhur si donaciona nga Gjermania
Ajo për Arbresh.info na tregon se roboti Papper e lehtëson jashtëzakonisht fushën e mjekësisë dhe të edukimit.
Por, a ekziston frika e zëvendësimit të njeriut nga robotët në fuqinë punëtore?
“Fillimisht e kemi bërë një studim analizë të situatës dhe të potencialit se a mundet diçka e tillë të implementimet në Kosovë dhe kemi ardhur në përfundim që popullata e re është duke punuar çdo herë në zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit, me ndërmarrësi të tjera dhe kanë një vullnet të zhvillimit të kësaj fushe në Kosovë mirëpo edhe në të njëjtën kohë nevojat e sistemit shëndetësor në Kosovë janë jashtëzakonshëm të larta për zhvillim të mëtutjeshme”, tha Selmani.
Zhvillimi i teknologjisë dhe përcjellja e këtij trendi në Kosovë, sipas koordinatores është mjaftë i qëlluar.
Po ashtu, ajo tregon edhe shërbimet që mund t’i kryejë roboti Papper në mjekësi.
Ky robot ka aftësi të komunikojë dhe të monitorojë pacientët, duke ua rikujtuar atyre marrjet e ilaçeve me kohë.
“Duke e parë trendin global kemi ardhur në përfundim që një zhvillim i tij do të ishte mjaftë i qëlluar në Kosovë dhe si e tillë është bërë si projekt. Në Kosovë jemi të parët që e kemi robotin Papper, sidomos në shëndetësi dhe edukim. Funksionet e robotit Papper janë fillimisht komunikimi, interaksioni me pacientët, pastaj është edhe monitorimi. Papper mundet të monitoroj pacient të ndryshëm për shembull me ia rikujtu atyre marrjen e ilaçeve, apo diçka të ngjashme. Pastaj mundet me e lidh pacientin me doktorin përmes tabletit që e ka”, tregon ajo.
Koordinatorja e këtij projekti pohon se ky robot nuk ka për qëllim zëvendësimin e njeriut por të shërbej si ndihmës shëndetësor.
Ajo pohon se blerja e robotit është e kushtueshme, mirëpo sipas saj, më e kushtueshme është programimi i vazhdueshëm i tij, në mënyrë që Papper të jetë në gjendje që të përgjigjet çdo lloj kërkese.
“Robotat social si Papper janë zhvilluar për me qenë ndihmës shëndetësor e jo me i zëvendësuar ata apo me kryer diçka që njeriu nuk mundet në hap të parë. Kështu që ideja e këtyre robotëve është ndihmës, nuk është që munden me e bo diçka më tepër. Investimet më i madh është programimi i vazhdueshëm, futja sa më shumë e informatave që Papper të jetë në gjendje që të përgjigjet çdo lloj kërkese të pacienteve tonë”, thotë Selmani.
Ndryshe, roboti Papper është financuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të Republikës Federale të Gjermanisë si pjesë e procesit të Berlinit./Arbresh.info/Diellza Gashi/
Policia ndalon në Bërnjak një furgon me targa serbe që po tr...
Njoftimi i UEFA-s për ndeshjen Rumani-Kosovë
Policia shqiptoi mbi dy mijë gjoba trafiku për 24 orë
Përfshihet nga flakët një ndërtesë banimi në Kinë, të paktën...
Arrestohen dy persona në Lipjan pas një mosmarrëveshje për p...
Shtetasit turk i vjedhet një çantë në Prishtinë, i’a m...