Veteranët paralajmërojnë protesta, Jashari: Nuk do rrimë duarkryq nëse nuk përfshihen në pagën minimale

11:59 | 28 Maj 2023
A Z

Të mërkurën e 24 majit, është shqyrtuar në lexim të dytë në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Projektligji për pagën minimale.

Ky Projektligj ishte shqyrtuar në lexim të parë vitin e kaluar, teksa aty nuk përfshihen kërkesat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për përfshirjen e tyre në këtë pagë.

Ata po kërkojnë që paga mujore e veteranit të caktohet përkitazi me pagën minimale në vend, e jo të mbetet jashtë saj, apo më pak se ajo pagë.

Në lidhje me këto kërkesa, Qeveria ende nuk ka hartuar asnjë amendament, teksa veteranët kanë paralajmëruar reagime në formë protestash.

Kryetari i Shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari, për Arbresh.info thotë se Qeveria obligohet ligjërisht që pagën e veteranit ta caktojë aq sa është ajo minimale.

Sipas tij, kalkulimi i përfitimit të veteranit llogaritet bashkë me pagën minimale në vend.

“Tekstualisht në këtë nen, ku përfshihen veteranët thuhet se në çfarëdo situate buxhetore me ardhë Qeveria, nuk guxon që beneficioni i veteranit të jetë nën pagën minimale, nëse ka buxhet mund të jetë mbi të, por në rast se nuk ka buxhet, ajo s’mund të jetë nën pagën minimale”, thotë Jashari për Arbresh.info.

Ai, shton se është e padrejtë nga ana e Qeverisë të bëjë ndryshime të tilla, pa u konsultuar me veteranët e luftës.

“Ligjet ekzistuese janë në fuqi dhe Qeveria obligohet me i zbatu këto, nuk ka të drejtë me i largu veteranët pa u ulë me neve, pa u marrë vesh me neve, pa u dakordu na dhe pa e pa se cili është argumenti se pse duhet larguar veteranët nga beneficioni i pagës minimale”, shprehet Jashari.

Shoqatat e dala nga lufta kërkojnë që paga më e vogël e një veterani të luftës të jetë  mbi 500 euro, meqë sipas tyre, ata janë meritorët për këtë liri që gëzohet sot e 24 vjet.

“Nuk do të duhej në një shtet normal që të atakohen kategoritë e luftës nga institucionet, kur këto institucione janë kriju pas përfundimit të luftës dhe më meritorët janë ata që e kanë sjellë lirinë e këtij vendi, ne kërkojmë që të mos preken këto kategori sepse po preket me dinjitet, moral, po preket me ideal dhe sakrifica e madhe që e kanë ba këto kategori për lirinë e popullit, vendit dhe kombit”, pohon Jashari.

I pyetur se çfarë masa mund të merren në rast që e nuk plotësohen kërkesat e tyre, Jashari nuk përjashton protestat

“Patjetër që do të ketë protesta, minimumi i asaj është që ne nuk do të rrimë duarkryq dhe do të reagojmë nëse preket beneficioni i veteranit, pra nëse nuk respektohet ligji që beneficioni i veteranëve kalkulohet me ngritjen e pagës minimale, me automatizëm duhet të ngritët dhe beneficioni i veteranëve”, shprehet Jashari për Arbresh.info.

Ndryshe, shqyrtimi i këtij dokumenti u pezullua nën arsyetimin se po synohej konsensusi veçmas me veteranët e UÇK-së, që projektligji nuk ua garanton pensionin në masën e pagës minimale.

Ky edhe ka qenë arsyetimi i Qeverisë. Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë deklaruar se çështja e pagës mujore të veteranëve të UÇK-së duhet të shqyrtohet me një ligj të veçantë prej atij të pagës minimale.

Për deputetin e VV-së, Enver Dugolli, është nënçmim për veteranët nëse pensioni i tyre llogaritet krahas pagës minimale. Sipas tij, ata meritojnë më shumë.

“Ne jemi të interesuar që Ligjin për veteranët, për vlerat e luftës, për invalidët ta amendamentojmë dhe ta bëjmë një ligj si duhet, për shkak se vlera monetare apo kontributi i veteranit të lidhet me pagën minimale, është edhe një lloj nënçmimi. Veterani, luftëtari meriton më shumë. Meriton më dinjitetshëm të trajtohet”, ka deklaruar Dugolli.

Pikërisht për këtë çështje, partitë opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, kanë dorëzuar tri, respektivisht dy amendamente në Kuvendin e Kosovës.

Në amendamentet e saj, PDK-ja kërkon që të fshihen nga projektligji nenet me të cilat përjashtohen nga përfitimi i pagës minimale kategoria e veteranëve të luftës.

Këtë ‘ndarje’ të veteranëve nga paga minimale, ata e quajnë diskriminuese.

“Propozimi që neni 2 i projektligjit të fshihet është i domosdoshëm për faktin se përjashtimi i veteranëve të luftës së UÇK-së nga paga minimale, e cila do të përcaktohet sipas kushteve që i përcakton ky projektligj, është jo vetëm i papranueshëm, por edhe diskriminues, sepse përveç të tjerash pensioni i tyre është i përcaktuar me Ligjin bazik të pensioneve”, thuhet në arsyetimin e amendamentit.

Projektligji i nxjerrë nga Qeveria për të cilin është krijuar kjo kundërshti thotë: “Deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit, luftëtar të UÇK-së, Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për Financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetës dhe inflacioni eventual”.

Në amendamentin e parë të dërguar, AAK-ja ka kërkuar që përmbajtja e këtij projektligji, në këtë pikë të ndryshohet.

“Deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit, luftëtar të UÇK-së, pensioni i veteranit luftëtar të UÇK-së, të jetë i barasvlershëm me pagën minimale”, thuhet në amendamentin e AAK-së, të dërguar Bekë Berisha.

Në amendamentin tjetër AAK-ja propozon që paga e veteranëve të jetë 370 euro neto.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshillit ekonomiko-social. Në mungesë të një propozimi të tillë nga Këshilli ekonomiko-social, të përcaktohet paga minimale në vlerën prej 370 eurosh neto për këtë vit kalendarik”, thuhet në amendamentin tjetër, të përgatitur nga Pal Lekaj.

Paga minimale në Kosovë me hartimin e Projektligjit të ri nga Qeveria, synohet të caktohet 264 euro, teksa aktualisht, paga minimale, njëkohësisht edhe e veteranëve të luftës është 170 euro bruto.

Meqenëse ka gati një vit që kjo çështje diskutohet dhe veteranët kërkojnë që të mos përjashtohen nga beneficionet e pagës minimale, Qeveria e Kosovës ende nuk ka dalë me ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me këtë, e aq më pak të ndërmarrë ndonjë hap drejt zgjidhjes së këtij problemi.

Ndërsa veteranët, edhe në vitin e kaluar, të mbështetur nga opozita kishin protestuar për mos përjashtimin nga paga minimale, gjegjësisht, rritjen e pagës së tyre.

Natyrisht, këtë e kërkojnë në rastin më të keq të mundshëm, sepse idealja sipas qëndrimeve të tyre zyrtare do të ishte që pagat t’i kishin shumë më të larta se paga minimale që Kosova ka me legjislacionin në fuqi./Arbresh.info/Emir Abduramani/

 

 

 

 

Të ngjashme