Google ADS

Osmani-Daçiq: Të intensifikohet dialogu dhe bashkëpunimi në rajon

13:05 | 25 Maj 2023
A. B.

OSBE-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen e procesit për reforma në Serbi dhe në rajon, porositi Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani pas takimit me zv. kryeministrin e Parë përgjegjës për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq në Beograd, njoftojnë nga MPJ.

“Pajtimi, ndërtimi i besimit dhe lufta kundër korrupsionit, këto tema të rëndësishme, së bashku me zgjidhjen e sfidave të sigurisë, të ndryshimeve klimatike përmes një qasjeje rajonale, janë tre prioritetet kryesore për Ballkanin Perëndimor të Kryesimit tonë me OSBE-në. Janë pika lidhëse, përpјekje të përbashkëta, të cilat mund dhe duhet të na bashkojnë të gjithëve”, tha Osmani në takimin me Daçiqin.

Duke shprehur ngushëllimet e sinqerta për humbjen e jetëve të pafajshme pas ngjarjeve fatkeqe që e goditën vendin, thuhet në deklaratë, Osmani në cilësinë e Kryesuesit të organizatës më të madhe rajonale të sigurisë, u fokusua në sfidat aktuale.

“OSBE-ja sot po lëviz nëpër ujëra të trazuara. Agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës i ka prishur parimet bazë të OSBE-së. Si Kryesi, punojmë në sigurimin e mbështetjes për Organizatë funksionale dhe fleksibile, duke ofruar mjete të llojllojshme me qëllim që të ndihmojmë në rivendosjen e paqes dhe sigurisë. Qëllimi ynë është që ta kthejmë dialogun dhe ta promovojmë bashkëpunimin”, theksoi Osmani.

Osmani shtojnë nga MPJ, potencoi se situata aktuale kërkon vendimmarrje kolektive, të përgjegjshme, si asnjë herë më parë, si dhe shtim të detyrueshëm të përpjekjeve për multilateralizëm efektiv, me qëllim të vendosjes së paqes dhe bashkëpunimit.

Ai shprehu respekt për Misionin e OSBE-së në Serbi, i cili ofron ndihmë dhe mbështetje për shtetin në procesin e ndërtimit të institucioneve të forta, të pavarura, të përgjegjshme dhe efikase demokratike.

“Treguesit e bashkëpunimit tonë të suksesshëm, mes tjerash, flasin për forcimin e qeverisjes së mirë, luftën kundër korrupsionit dhe kushtet më të favorshme të punës së mediave. I mbështesim përpjekjet për inkurajimin e pajtimit të Rajonit, iniciativat e shoqërisë civile, lidhjen e të rinjve dhe forcimin e rolit të grave. Mosdiskriminimi, mirëkuptimi i ndërsjellë dhe demokracia participative do të kontribuojnë për stabilitet dhe siguri më të madhe rajonale”, theksoi Osmani.

Osmani theksoi se dialogu dhe bashkëpunimi konstruktiv duhet të jenë imperativ, duke shprehur mbështetje të fuqishme të OSBE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Në këtë kontekst iu referua rëndësisë së takimit i cili u mbajt në Ohër me çka edhe më tej u hap rruga për normalizimin e marrëdhënieve./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme