Anëtarësimi i Ukrainës në NATO gjatë luftës, nuk është në agjendë

18:58 | 24 Maj 2023
K.B

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se pranimi i Ukrainës në aleancën perëndimore ushtarake nuk do të ndodhë teksa lufta po vazhdon.

Megjithatë, ai tha se Ukraina mund të anëtarësohet në të ardhmen në aleancë.

Gjatë një ngjarjeje të organizuar nga Fondi gjerman Marshall në Bruksel, Stoltenberg tha se “ne të gjithë pajtohemi që Ukraina do të bëhet anëtare e aleancës”.

Por, ai shtoi se “nuk është në axhendë anëtarësimi i Ukrainës në mes të një lufte”.

Stoltenberg tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë “dy gabime të mëdha strategjike”, që sipas tij janë nënvlerësimi i “trimërisë” dhe “vendosmërisë” së ukrainasve dhe nënvlerësimi i aleatëve dhe partnerëve të NATO-s.

Zyrtarët në Rusi, shtet që ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, kanë deklaruar se Moska e sheh veten të kërcënuar nga anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO.

Ndërkaq, udhëheqësit në Kiev kanë thënë se dëshirojnë që në të ardhmen shteti i tyre të bëhet pjesë e NATO-s./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme