I pyetur nëse di t’i bie violinës, “Sasha muzikanti” jep dy përgjigje njëherësh “shumë dhe hiç”.
Imazhet e violinës që janë të shpërndara nëpër postimet e tij nga Rusia dhe Ukraina, thotë ai gjatë një bisede, janë një homazh për grupin mercenar rus që vepron si një krah luftarak brutal i Kremlinit, i quajtur Wagner, emër i një kompozitori gjerman, i shekullit XIX.
Ky 43-vjeçar, serb i Bosnje e Hercegovinës, me besnikëri të shpallur ndaj “mënyrës ruse”, i është bashkuar luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
“Jam i lidhur ngushtë me Rusinë. Gjithçka tek unë është ruse”, tha ai për Shërbimin Ballkanik të Radios Evropa e Lirë. “
Unë jam në anën ruse, po. Personalisht, do të kthehem në shtëpi në momentin që marrëveshja të përfundojë dhe gjithçka të jetë ruse. Gjithçka”.
Në biseda të shumta nëpër disa platforma dhe dy profile në internet, ai foli haptas për bashkim në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Që nga nëntori, postimet e tij në VKontakte kanë qenë një paradë e ushtarëve të kamufluar, pako me ushqime dhe furnizime të tjera që thuhet se janë të destinuara për trupat ruse në Ukrainë. Po ashtu edhe video të individëve të maskuar duke përdorur pushkë të nivelit ushtarak dhe armë të tjera. Të gjitha në mbështetje të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.
Burime të inteligjencës boshnjake i thanë REL-it se, “Sasha muzikanti” është një nga shtatë shtetasit boshnjakë në fushëbetejat e Ukrainës.
Ndërrimi i identitetit
Të dhënat dhe burimet e inteligjencës në Bosnje e Hercegovinë konfirmojnë se “Sasha muzikanti” është një 43-vjeçar nga Banja Lluka, i cili lindi si Ljubisha Boziq, por zyrtarisht ndryshoi emrin e tij disa vjet më herët në Aleksandar Velimiroviq, mes problemeve të vazhdueshme ligjore.
Dhe dy burime të sigurisë në Bosnje, të cilët folën në kushte anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht, thanë se Velimiroviq shkoi në Ukrainë në pranverën e vitit 2022, disa javë pasi nisi pushtimi i paprovokuar i Kievit nga Moska.
Duke folur në biseda dhe korrespondencë në internet gjatë disa muajve me REL-in, Velimiroviq nuk pranoi të konfirmonte se ai kishte qenë në Ukrainë gjatë tetë vjetëve të fundit.
Ai tha se detyra e tij është të dërgojë ndihma, ushqime dhe furnizime të tjera për ushtrinë ruse. Ai, gjithashtu, pohoi se nuk është në fushëbetejë dhe se fotot dhe videot që ai publikon në rrjetet sociale janë aty rastësisht dhe se nuk nënkuptojnë asgjë.
“Do të kthehem në Bosnje kur të mos ketë më kufi mes nesh”, shtoi ai.
Në një bisedë, ai pyeti se pse po kontaktohej nga një korrespondent nga entiteti i Federatës – e cila bashkë me Republika Sërpskan me shumicë serbe përbën Bosnje e Hercegovinën – “kur unë jam nga Republika Sërpska”.
Ai, gjithashtu, akuzoi korrespondentin e Radios Evropa e Lirë se ishte “në SIPA”, një referencë për Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes, agjencisë zyrtare të policisë shtetërore të Bosnjës.
E kaluara kriminale
Velimiroviq është shfaqur në fotot që e tregojnë atë në fushëbetejë me simbolin Wagner, por veshja e tij ushtarake nuk kishte asnjë emërtim të dukshëm.
Ai kaloi më shumë se një dekadë në telashe me ligjin në Bosnjë e Hercegovinë, duke përfshirë një dënim për rrëmbim në vitin 2010 dhe një kundërvajtje për fyerje të myslimanëve para një xhamie në Banja Lluka në vitin 2016, kështu që ai ishte i njohur për policinë boshnjake.
Përplasja e tij e tretë e madhe me ligjin ndodhi në vitin 2020, kur ai u ndalua në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës.
Më pas ai u transferua nga autoritetet shtetërore të Bosnje e Hercegovinës në sistemin e drejtësisë në Republika Sërpska, përpara se të lirohej, kur një gjykatë e Banja Llukës tha se nuk ishte në gjendje të “përcaktonte se cili urdhër” po zbatohej.
Ndryshimi i emrit dukej se luante një rol në këto çështje.
Agjentët e SIPA-s, që zakonisht trajtojnë rastet e pjesëmarrjes së dyshuar në konflikte të huaja, e morën në pyetje si të dyshuar.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Bosnjës tha se urdhri për pezullimin e rastit ishte lëshuar “për shkak se nuk kishte prova të mjaftueshme për kryerjen e një vepre penale”.
Shumica e provave, shtoi ai, përbëheshin nga detaje rrethanore dhe “informacione vështirë të verifikueshme në rrjetet sociale”.
Një burim i besueshëm tha se pas largimit për në Rusi, Velimiroviq nënshkroi një kontratë me grupin e Wagner-it dhe po kërkonte shtetësinë ruse. Por, kjo nuk ëdhtë verifikuar.
Wagner, forca luftarake paraushtarake e lidhur me Kremlinin, e cila së bashku me themeluesin e saj, Yevgeny Prigozhin, është nën sanksione të SHBA-së dhe sanksione tjera perëndimore, ka shpallur vende “pune” në Russia Today Balkans, kanal i propagandës ruse .
“Unë nuk jam aq budalla sa të shkoj në shtëpi tani, ku do të ketë shumë pyetje”, tha Velimiroviq.
Planifikuesit rusë të luftës mendohet se kanë pritur betejë më të lehtë dhe të shpejtë në nënshtrimin e Ukrainës, por mbrojtësit ukrainas, me mbështetjen perëndimore, e kanë penguar pushtimin përgjatë 15 muajve.
Dhjetëra mijëra trupa ruse besohet se janë vrarë, me shumë të tjerë të plagosur, duke e detyruar Putinin të thirrë një “mobilizim të pjesshëm” për të vazhduar luftimet – me mbështetjen e mercenarëve të Wagner-it.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për një praktikë “alarmante” të grupit Wagner të rekrutimit të të burgosurve rusë për të luftuar në Ukrainë.
Në mars, Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) përshkroi një skemë, sipas së cilës faljet e të burgosurve shkëmbeheshin me bashkimin në luftë. Gjithashtu, u tha se Wagner rekruton shtetas rusë dhe të huaj, të cilët vuanin burgun për vepra penale.
Është e vështirë të thuhet se sa të rinj nga Ballkani kanë shkuar për të luftuar në Ukrainë.
Ligji boshnjak ua ndalon qytetarëve të saj të bashkohen me ushtritë e huaja.
Prokurorët boshnjakë i thanë REL-it se po hetonin shtatë shtetas të Bosnje e Hercegovinës nën dyshimet se iu bashkuan forcave luftarake të Rusisë. Ata nuk pranuan të konfirmonin zyrtarisht nëse këtu përfshihet edhe Velimiroviqi.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, çështja e profilit më të lartë për luftime të dyshuara në Ukrainë ishte ndjekja penale e Gavrilo Steviqit, i cili u lirua në mars të vitit 2020 nga të gjitha akuzat për luftë për separatistët anti-Kiev.
Ai u akuzua se kishte udhëtuar nëpërmjet Beogradit për në Moskë dhe Rostov-on-Don në Ukrainë, në vitin 2014, ku prokurorët besonin se ai iu bashkua njësisë paraushtarake “Jovan Seviq”, në një zonë të rajonit të Luhanskut të Ukrainës që ishte pushtuar nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Steviq, i cili që atëherë ka pasur aktivizëm pro-rus, pranoi se kishte udhëtuar në Ukrainë “si një jugosllav dhe idealist”, por pohoi se kurrë nuk ka luftuar.
Inteligjenca ukrainase beson se qindra qytetarë serbë kanë luftuar në Ukrainën lindore së bashku me separatistët e mbështetur nga Rusia pas vitit 2014.
Më shumë persona është raportuar t’i jenë bashkuar palës ruse, prej nisjes së luftës më 2022, pasi pasojat ligjore kanë qenë të pakta dhe dënime janë shqiptuar në pak raste.
Arsyet përse gripi zgjat dhe nuk largohet lehtë, ja çfarë su...
Çfarë thonë exit poll-et e para?
Notat e lojtarëve: Real Madrid 1-3 Milan, Maignan heroi i ...
Dita e Zgjedhjeve përgjithësisht e qetë, me probleme dhe von...
Çështjet që shqetësojnë votuesit janë demokracia dhe ekonomi...
Kevini mundohet ta puthë Anën, kjo e fundit befason me vepri...