Rama: Të neveritshme akuzat e opozitës për zgjedhjet

20:10 | 22 Maj 2023
Orgesa Haziri

Akuzave të opozitës për manipulim të zgjedhjeve të zgjedhjeve të 14 Majit, kryeministri Rama u ktheu përgjigje nga Dibra ku vijoi turin e falenderimeve.

“Është vërtetë e neveritshme kur dëgjon se si i morëm votat ne. Por mos u mërzisni fare kur i dëgjoni, sepse sa më vonë ta kuptojnë sesi i marrim ne votat, aq më shumë ne do marrim vota. Të mendosh që kjo lidhja jonë e fortë me krimin bazohet te gratë dhe që gjithë këto gra këtu janë kriminele të votës së lirë, pas kësaj do mendohen mirë a ia vlen t’i hyjnë punës, për të provuar me na mund, se për të na mundur, nuk na mundin dot”.

Një rol të rëndësishëm në fitore ua faturoi grave që morën 2 nga 4 bashkitë e qarkut.

“Pushtetin e vërtetë nuk e kanë burrat, e kanë gratë”.

Ngjyrosjen e hartës administrative territoriale pothuajse e gjitha me ngjyrën e socialistëve në 14 Maj, Edi Rama e lexon si sfidën që u kanë bërë shqiptarët për të bërë më shume në 4 vitet e ardhshme.

“Duhet që dyert e bashkive që ne qeverisim të hapen në të katërt kanatet”.

Rama falenderoi edhe ata që e dëgjuan dhe nuk ia dhanë votën koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

“Nuk e ngarkuan traditën e tyre të djathtë me turpin e një vote për Bashkë Fitojmë, me Like floririn.”

Në Klos, Mat, Bulqizë e Dibër në takimet falenderuese me banorët e 4 bashkive Rama renditi një sërë investimesh të cilat do të marrin rrugë në mandatin e ri të kryebashkiakëve të zgjedhur./Tv Klan/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme