Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka siguruar mbështetjen e ultra-nacionalistit që doli i treti në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale turke.
Sinan Ogan mori 5.2 për qind të votave në rundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më 14 maj dhe pamundësoi që Erdogan të shënonte fitore që në rundin e parë.
Kjo ishte hera e parë në 20 vjet sa është në pushtet që Erdogan nuk fitoi zgjedhjet në rundin e parë dhe ai do të përballet në balotazh me Kemal Kilicdaroglun, kandidatin presidencial të gjashtë partive opozitare.
Bilborde të vendosura në Shanllëurfa të Turqisë të presidentit aktual, Recep Tayyip Erdogan, dhe të kundërkandidatit të tij, Kemal Kilicdaroglu.
Ogan u takua me liderin turk të premten dhe mbajti negociata të ndara me aleatët e liderit opozitar, Kemal Kilicdaroglu.
“Ne do të mbështesim kandidatin e Aleancës së Popullit, Recep Tayyip Erdogan, gjatë rundit të dytë të zgjedhjeve që mbahet më 28 maj”, tha ai gjatë një fjalimi televiziv.
Ogan e ka portretizuar veten si mbështetës të nacionalizimit turk të përkrahur nga themeluesi i Turqisë moderne, Kemal Ataturk.
Ai ka kërkuar dëbimin e menjëhershëm të miliona migrantëve dhe ka kërkuar që shteti të ketë një qëndrim më të ashpër ndaj “terroristëve” – referencë për grupet kurde që luftojnë për autonomi në juglindje të Turqisë.
Pavarësisht mbështetjes së ofruar për Erdoganin, analistët kanë ngritur pikëpyetje nëse votuesit e tij do të votojnë për Erdoganin.
Megjithatë, mbështetja e Oganit për Erdoganin minon përpjekjet e Kilicdaroglut për të marrë sa më shumë vota në mesin e nacionalistëve për rundin e dytë të zgjedhjeve./REL
Arsyet përse gripi zgjat dhe nuk largohet lehtë, ja çfarë su...
Çfarë thonë exit poll-et e para?
Notat e lojtarëve: Real Madrid 1-3 Milan, Maignan heroi i ...
Dita e Zgjedhjeve përgjithësisht e qetë, me probleme dhe von...
Çështjet që shqetësojnë votuesit janë demokracia dhe ekonomi...
Kevini mundohet ta puthë Anën, kjo e fundit befason me vepri...