Google ADS

Keqpërdori pozitën, dënohet punonjësi i Komunës së Gjakovës

14:41 | 22 Maj 2023
E.H

Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur fajtor zyrtarin me inicialet Sh.A., për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa e ka liruar nga akuza për veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

I pandehuri Sh.A, është shpallur fajtor për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj i cili dënim me kërkesë dhe pëlqimin e të akuzuarit, i zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 4000 euro.

Dënimi do të paguhet në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Gjithashtu, i pandehuri Sh.A, lirohet nga akuza për vepër penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 434 paragrafi 1 i KPRK-së.

Në njoftim thuhet se, i pandehuri është obliguar që të paguaj shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej 100 euro si dhe shumën prej 50 euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të pandehurit Sh.A, gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike i pandehuri, “me datën 11.05.2016 në Gjakovë në cilësinë e zyrtarit në Zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që të sjell dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për të tjerët, si dhe të shkaktoi dëm të tjerëve në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 6 të Ligjit nr. 02/L- 121 për Vendbanimin dhe Vendqëndrimin, personit deri me tani të panjohur N.N, në mënyrë të kundërligjshme, pa verifikuar të dhënat, i’a vërteton të dhënat se gjoja personi në fjalë quhet B. V. i lindur me dt. .. . .. . …. nga i ati A. dhe e ëma Z. banues në Gjakovë në Rr. “N.T.” nr. … dhe me pas në të njëjtën ditë të njëjtit i’a lëshon ekstraktin nr. E- …….., E-…….. dhe E-…….. duke i mundësuar që në ish Zyrën Regjistrimit Civil tani Q.P.D në Gjakovë, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga i pandehuri me datën 12.05.2016 të pajiset me dokumente personale si Letërnjoftim, ndërsa me datën 16.05.2016 me Pasaportë dhe me Patentë Shofer”, thuhet në njoftim.

Gjykata njofton se, pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme