Google ADS

Rama: Një faqe e re e historisë tonë po shkruhet, kontributorë në NATO për të garantuar sigurinë e popujve

13:00 | 22 Maj 2023
A Z

Shqipëria ka mirëpitur paraditen e sotme stërvitjen “Defender Europe 2023” në sheshin Nënë Tereza në Tiranë.

I pranishëm në hapje të kësaj ngjarje ka qenë edhe kryeministri i vendit Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelit të respektit ndërkombëtar dhe se një faqe e re e historisë shqiptare po shkruhet.

“Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar dhe sot e ulur në tryezën e Këshillit të Sigurimit, krah për krah me SHBA si bashkë pendë mbajtëse për çështjen e Ukrainës, ajo merr një profil dhe një rol që jo vetëm e ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme, por edhe e vë në dukje se çfarë përparimi dhe çfarë pjekurie ka arritur vendi ynë. Zhvillimi i kësaj stërvitje është shprehje e unitetit të madh dhe vendosmërisë së palëkundur të komunitetit euroatlantik, për të mbrojtur parimet mbi të cilat funksionojnë shoqëritë tona.

Pavarësisht gjuhës dhe flamurit, jemi të lidhur me ato vlera dhe parime të cilat janë të kërcënuar për secilin prej nesh. Të gjithë së bashku jemi të imponuar nga historia jonë dhe nga ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë. Vitin e shkuar erdhi lajmi i mirë për ngritjen në Shqipëri të shtabit të bazës së forcave operacionale speciale, që dëshmon që Shqipëria mbetet një aletat i fortë i SHBA dhe i NATO-s, por edhe se Shqipëria bëhet një pikë referimi në kontinentin tonë.

Me aeroportin e Kuçovës, i cili së shpejti do të jetë në funksionim si bazë e re operacionale e NATO-s dhe shpresojmë shumë që edhe me Portin, që do të ketë një komponent për të bërë të njëjtën gjë si aeroporti, duke funksionuar si një tjetër bazë operacionale e NATO-s, por këtë herë për forcat detare, ne mund të themi me plot gojën se një faqe e re historisë tonë po shkruhet dhe në këtë faqe jemi jo vetëm konsumatorë, por edhe kontributorë në këtë aleancë të madhe për të garantuar sigurinë e popujve tanë”, tha Rama. /tvklan.al

 

Të ngjashme