Google ADS

Dëshmitari lidhur me vrasjen e personit 1: ‘‘S’kam qenë prezent por përveç tyre s’besoj që kanë qenë tjerë’’

11:35 | 22 Maj 2023
L G

Në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i pestë me kodin 3165, i pyetur se a mund të jetë i sigurt nëse personat që kanë marr personin 1 janë të njëjtit që e kanë vrarë, ai tha se ‘‘S’kam qenë prezent por përveç tyre s’besoj që kanë qenë tjerë’’.

‘‘Gjinja me maska kanë marr numrin 1,2 dhe 3, numrin 2 dhe 3 i kanë zbrit dhe e kanë vazhdu rrugën, une mas tyne jam nis… që e kanë bo vrasjen’’, tha tutje ai.

Ai tha edhe se ‘‘personin 1 e kam gjet të vrarë dhe letrën e kam gjet aty, nuk muj me të than kurgjo’’.

Kurse, kur mbrojtësi i Rexhep Selimit, avokati Geoffrey Roberts tha se a e pranon dëshmitari se s’mund të bëjë një ndarje të qartë lidhur me atë çka di vet për atë ditë dhe se çka i është treguar, ai tha se ‘‘Nuk muj me tu përgjigj, s’di si ta shpjegoj’’.

I njëjti gjithashtu tha sërish se personat e maskuar kishin qenë të veshur me të zeza si të policëve, ushtarëve vetëm se kishin pasur emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

E që ai tha se kur kishin ardhur këta persona në pozicionin A dhe kishin dashur të flisnin me personin 6 ai s’kishte qenë prezent.

Paraprakisht, në raudin e parë të pyetjeve, dëshmitari pohoi të ketë thënë se uniformat i kishin siguruar dhe paguar vet.

I pyetur se si ushtar individ i UÇK-së mund të largoheshe në çdo pikë dhe s’do të kishte pasoja për këtë, dëshmitari tha se ‘‘unë për veti s’muj me thanë se s’di çka kanë bo, unë për veti s’jom largu’’.

Tutje, dëshmitari u pyet lidhur për një marrëveshje e për të cilën tha se nuk e dinte nëse komandanti lokal i UÇK-së kishte pasur nevojë për ndonjë autorizim për të miratuar këtë leje.

Po ashtu u përgjigj me ‘‘nuk e di’’ kur u pyet nga avokati Roberts se a mund të kishte inate apo xhelozi mes fshatrave për këtë marrëveshje.

Kurse, pyetjet e avokatit nëse a thua që ka mundësi që disa fshatra rreth e rrotull të ketë ditur se ekziston kjo marrëveshje apo jo, në vizitën tuaj që keni bërë në diskutime për fshatra tjera, a doli si temë kjo ndonjëherë, përgjigja e dëshmitarit nuk dëgjohej.

Dëshmitari i pastë vazhdon dëshminë në gjykimin Thaçi dhe të tjerët

(Përditësuar, ora 10:00)-Dëshmitari i pestë me kodin 3165 po vazhdon dëshminë e tij në seancën e së hënës në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari është duke u marr në pyetje nga mbrojtja e Selimit, avokatit Geoffrey Roberts, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Dëshmia e tij është duke u përcjell me pjesë të shumta private dhe përmbajte të redaktuar.

Ai tha se dëmtime të mëdha në periudhën e verës 1998 në fshatrat përreth nuk ka pasur po këto dëmtime janë bërë pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Ai ka thënë se ka udhëtuar përreth fshatrave për të parë situatën e tyre por kur iu tha nga avokati se ai kishte thënë se kishte qëndruar kryesisht në një fshat, përmbajtja është redaktuar.

I pyetur se si ka mësuar se në pozicionin B ka pasur djegie dhe vrasje në zonën përreth, sërish përmbajtja ka qenë e redaktuar.

Edhe sot vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Hagë sot pritet të mbahet seanca e radhës ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Sipas njoftimit të bërë nga Dhomat e Specializuara thuhet se seanca gjyqësore do të fillojë nga ora 09:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sot pritet të vazhdojë të dëgjohet dëshmitari i pestë i ZPS-së, i cili dëshminë e tij e ka filluar të jap javën e kaluar.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Të ngjashme