Më nuk është dilemë se a do të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, kjo dilemë është hequr kur në Ohër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi zbatimin e marrëveshjes bazë të planit franko – gjerman që e kishte pranuar në Bruksel.
Por, tani është shfaqur një tjetër dilemë ajo se çfarë modeli do të pranohet nga kryeministri Kurti në dialog me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e përfaqësueseve të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe Jozef Borell.
Po ashtu, dilemë tjetër është se si do të aplikohet dhe a ka vlerë themelimi i këtij Asociacioni kur në katër komunat veriore të Kosovës, Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicën veriore, tani qeverisen nga kryetarët që janë të nacionalitetit shqiptarë, pasi Lista Serbe dhe partitë e tjera refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet për kryetar dhe asamble të mbajtura me 23 prillit.
Edhe pse katër komunat serbe nuk qeverisen nga partitë serbe, politologu Albinot Malokun thotë se kjo nuk ka rëndësi pasi që çështja e Asociacionit të komunave me shumicën serbe, është marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, marrëveshje e cila u bë obligative.
“Ata thjesht folën për faktin se zgjedhjet ishin në frymën e ligjit dhe kushtetutshmërisë. Fakt ky i pa kontestuar. Ndërsa çështja e Asociacionit të komunave me shumicën serbe në Kosovë, është marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, dhe e cila marrëveshje u bë obligative për Republikën tonë”, ka thënë Maloku për Arbresh.info.
Madje sipas Malokut detyrimi i pranuar së fundmi edhe nga kryeministri Kurti, nga faktori ndërkombëtar po i kërkohet për çdo ditë Kosovës. Ai madje ka thënë se rruga drejtë themelimit të Asociacionit tashmë është marrë nga Qeveria.
Modalitet janë vetëm fasadë thotë Maloku, vetëm sa për të tentuar që të ruhet kundërshtimi i famshëm, Asociacion pa kompetenca ekzekutive.
“Modalitetet janë fasadë përmes cilave provohet të ruhet ai kundërshtimi i famshëm, mirëpo thelbësisht është Asociacioni i marrëveshjeve, me që gjë pjesë kryesore e pajtimeve të ndodhura me 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë”, ka thënë Maloku.
Ndërsa, Shqiprim Pula, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare kërkon që kryeministri Kurti ta marrë për bazë kërkesën e deputetit shqiptarë në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, që po kërkon reciprocitet për Luginën me të drejtat e serbëve në Kosovë.
“Që kur ka filluar procesi i dialogut me Serbinë në Bruksel, asnjëherë e në asnjë rrethanë nuk është arritur që të zyrtarizohet trajtimi politik e ligjor të bashkëkombësve shqiptarë që jetojnë në Kosovën Lindore, mbi parimin e barabartësisë ashtu siç është kërkuar të trajtohet pakica serbe në Kosovë. Andaj dhe, me të drejtë qëndron kërkesa e përfaqësuesve Shqiptar të territorit të Kosovës Lindore, që të trajtohen reciprokisht me të drejta politike, arsimore, sociale, kulturore e të tjera sikurse insistohet për pakicën Serbe. Kështu që, nuk mund të vazhdojë pafundësisht lënia anash, dhe nën mëshirën e shtetit Serb, duke mos e pranuar si të mirëqenë kërkesën e tyre nga Brukseli zyrtar”, ka shtuar Pula.
Nuk e dëmton Kosovën, diskutimi për reciprocitet për komunat e Luginës, ka fuqi të parimeve të njohura ndërkombëtarisht, ai e sheh si gabim qasjen e deritashme të BE-së me parimin dhe “arsyetimin” se janë punë të brendshme të shtetit serb se si i trajton shtetasit e saj, ndërsa Kosovës, i kërkon Asociacion e komunave për komunitetin që e ka pakicë.
“Kërkesa për reciprocitet është legjitime dhe me fuqi të parimeve të njohura ndërkombëtarisht, por, çështja është se Brukseli zyrtar, nuk e ka pranuar deri më tani këtë parim me “arsyetimin” se janë punë të brendshme të shtetit serb se si i trajton shtetasit e saj, e të cilët nuk janë me kombësi Serbe. Në këtë kuptim, qeveritë në Prishtinë e Tiranë, duhen të jenë më të zëshme për të drejtat e tyre si pjesëtarë të kombit shqiptar pavarësisht se në cilin territor jetojnë për shkak të ndarjeve të shqiptarëve që i njeh historiografia”, tha Pula.
Ndërsa ditë më parë, kryeministri Kurti ka pritur në takim emisarin e BE-së Lajçak, ku kanë diskutuar për fillimin sa më të shpejt të implementimit të pikave të marrëveshjes që do të thotë, sa më shpejtë të themelohet ky Asociacion. Shefi i ekzekutivit kosovar ka pranuar se është pajtuar me Lajçakun që të nis procesi i themelimit të Asociacionit sa më parë.
Dihet se Kosova ka pasur edhe ekip për ta shkruar statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por që pas prezantimit të tij në Bruksel është shkarkuar nga kryeministri Kurti.
Të shkarkuarit nga detyra janë, Danijela Vujiçiq, Jelena Boloviq, Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq,/Pleurat Salihu/Arbresh.info/
Këshilli i Sigurisë me masa për sigurinë pas shpërthimit në ...
Parashikimi i motit në Shqipëri, ulen temperaturat, vranësir...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Sigurohet furnizimi i rregullt me rrymë për vendin dhe ngroh...
Mundësohet furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali ...
Shpërthimi në Ibër Lepenc/ Policia rrit masat e sigurisë, pë...