Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mori pjesë në edicionin e tretë të konferencës “Diaspora Flet”, e organizuar nga organizata GERMIN me mbështetje të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në fjalën e tij Kryeministri Kurti, tha se diaspora shqiptare ka luajtur dhe vazhdon të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik, social dhe politik të Kosovës.
Ai tha se brenda dyvjeçarit të parë të mandatit tonë kemi arritur t’i përfshijmë në diskutim mbi 20 qendrat kryesore ku jeton dhe vepron mërgata jonë. Gjithashtu, jemi angazhuar për të ofruar mënyra inovative për të përfshirë diasporën në proceset e hartimit të politikave duke u bërë pjesëmarrës aktiv në jetën e përditshme të vendit tonë. Andaj, në Qeverinë tonë ka ministria, ka zëvendësministra, këshilltarë e ekspertë të angazhuar, të cilët vijnë nga diaspora.
Kryeministri Kurti u shpreh se po përmbushet edhe një zotim tjetër i qeverisjes për sa i përket procesit të votimit, i cili sipas tij parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit.
Gjatë konferencës Kryeministri Kurti, deklaroi se bashkë me Shqipërinë, janë duke punuar te pjesa e mësimit plotësues, në veçanti ofrimi i librave për fëmijët, që vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe, por edhe në planin e përbashkët për të adresuar sfidat e shumta që kemi për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit. Andaj, theksoi ai, këtë verë, në kuadër të Seminarit të Përbashkët të Gjuhës Shqipe, që do të mbahet në Shqipëri, theksi do të jetë te koncept-dokumenti për adresimin e sfidave që kemi para me mësimin plotësues të gjuhës jashtë vendit.
Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Kurti, u shpreh se vetëm duke e njohur rëndësinë e diasporës për zhvillimin tonë ekonomik, social dhe politik, e duke trajtuar atë si një pasuri të çmuar po dhe burim për zhvillim të gjithmbarshëm, do të mund të ndërtojmë një shtet më të fortë e më të qëndrueshëm.
Kryeministri ftoi të pranishmit që të marrin pjesë aktivisht në diskutimet dhe shkëmbimet, që do të zhvillohen gjatë kësaj konference sot dhe nesër.
“Së bashku, do të punojmë që të kemi një ndikim afatgjatë në vendlindjen tonë dhe të lëmë mbrapa një trashëgimi të prosperitetit për brezat e ardhshëm. Nuk kemi përgjegjësi për botën të tillë çfarë e kemi gjetur, por kemi përgjegjësi për botën çfarë ua lëmë brezave që vijnë pas nesh, e për shkak se kemi përgjegjësi, le të jemi të përgjegjshëm”, tha Kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti pas kësaj konference, vizitoi panairin e bizneseve me pronare gra, që mbështetet nga GERMIN, e të cilat mentorohen nga diaspora.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Faleminderit Donika,
E nderuara zëvendësministre Gashi,
Të nderuar bashkë-drejtorë të GERMIN-it, znj.Bejtullahu dhe z.Krasniqi,
Të nderuar anëtarë të bordit të GERMIN-it,
Të nderuar bashkatdhetarë,
Zonja dhe Zotëri,
Motra dhe vëllezër,
Të nderuar mysafirë,
Unë jam i nderuar të flas para jush sot në edicionin e tretë të konferencës “Diaspora Flet”, një platformë kjo, e cila feston arritjet e shkëlqyera dhe potencialin e diasporës shqiptare. Janë platformat si këto, ato që na mundësojnë të forcojmë partneritetin me dhe në mes të diasporës për zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit tonë, por njëkohësisht edhe për forcimin e diasporës kudo që ajo është.
Diaspora shqiptare ka luajtur dhe vazhdon të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik, social dhe politik të Kosovës. Kontributi i diasporës ndjehet në të gjithë sektorët; nga sipërmarrjet dhe investimet, deri te transferimi i njohurive dhe filantropia. Me anë të punës suaj të palodhur dhe përkushtimit të pandërprerë për të ardhmen e përbashkët, diaspora është moti pasuri e çmuar e kombit tonë.
Ne e njohim mirë rolin dhe rëndësinë e angazhimit të diasporës në Kosovë. Por, edhe e vlerësojmë shumë potencialin e saj si një nga burimet kryesore për zhvillim. Andaj, jemi të përkushtuar në punën tonë ditore, për të zbatuar politika, të cilat e ndërlidhin rolin e diasporës jo vetëm si një pjesë të rëndësishme e identitetit tonë, por edhe si një forcë e jashtëzakonshme për ndryshimet, të cilat kanë filluar të marrin formë në Republikën e Kosovës.
Në përputhje me këtë angazhim, qysh në fillim kemi promovuar “Dialogun me Mërgatën” si platformë për të diskutuar mundësitë, sfidat dhe kërkesat që kanë bashkatdhetarët tanë në të gjitha këndet e botës. Brenda dyvjeçarit të parë të mandatit tonë kemi arritur t’i përfshijmë në diskutim mbi 20 qendra kryesore ku jeton dhe vepron mërgata jonë. Gjithashtu, jemi angazhuar për të ofruar mënyra inovative për të përfshirë diasporën në proceset e hartimit të politikave duke u bërë pjesëmarrës aktiv në jetën e përditshme të vendit tonë. Andaj, në Qeverinë tonë ka ministria, ka zëvendësministra, këshilltarë e ekspertë të angazhuar, të cilët vijnë nga diaspora.
Aktualisht jemi drejt finalizimit të kornizës ligjore, e cila reflekton vlerësimin tonë të thellë për kontributin e diasporës. Me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme po i japim fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës, për sa i përket votimit dhe po e përmbushim përfundimisht edhe një zotim tonin. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit.
Po ashtu, në kuadër të reformës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, diaspora ndërlidhet direkt me punën, që bëjnë misionet tona nëpër vendet e ndryshme të botës. Por, risia do të jetë, që do të ketë personel të angazhuar direkt për çështjet e temat, që ndërlidhen me komunitetin tonë.
Këto instrumente do të na mundësojnë të forcojmë lidhjet tona, të përmirësojmë bashkëpunimin dhe t’i japim diasporës fuqinë për të luajtur një rol edhe më të madh, gjithsesi meritor.
Krahas ndryshimit dhe hartimit të ligjeve, gjatë këtyre dy viteve qeverisje kemi dizajnuar edhe programe autentike, sikurse ai “Shijo Kosovën” me fokus te ndërlidhja e pjesëtarëve të diasporës së re me vendin e origjinës përmes edukimit jo formal, ekskursioneve natyrore dhe kulturore. Po ashtu, programi për diplomaci publike “Citizen Diplomacy Fellowship”, që ka për qëllim ndërlidhjen me vendin e origjinës përmes angazhimit profesional, e gjenerata e parë tashmë ka përfunduar angazhimin dhe në thirrjen e gjeneratës së dytë, për herë të parë do të ofrojë mundësinë, që diaspora jonë të angazhohet edhe në misionet diplomatike dhe konsullore pikërisht përmes këtij programi. Thirrja pritet të hapet javën që vjen.
Po ashtu, është duke u punuar intensivisht bashkë me Shqipërinë te pjesa e mësimit plotësues, veçanërisht tek ofrimi i librave për fëmijët, që vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe, por edhe në planin e përbashkët për të adresuar sfidat e shumta që kemi për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit. Andaj, këtë verë, në kuadër të Seminarit të Përbashkët të Gjuhës Shqipe, që do të mbahet në Shqipëri, theksi do të jetë te koncept-dokumenti për adresimin e sfidave, që kemi para me mësimin plotësues të gjuhës jashtë vendit. Më tej, për të adresuar kërkesat e shumta që ka mërgata jonë, për herë të parë jemi duke dizajnuar një fond për diasporën me qëllim ofrimin e resurseve financiare për të bashkë-krijuar ide të reja dhe për të ofruar zgjidhje kreative për komunitete ku jetoni dhe veproni. Ky fond paraqet mundësi të mirë partneriteti me të gjitha shoqatat, asociacionet dhe institutet për të adresuar objektivat kryesore në qasjen tonë për angazhimin, bashkëpunimin dhe bashkë-krijimin me mërgatën tonë.
Po e theksojmë gjuhën shqipe, për shkak se besojmë që këtu është çelësi i integrimit pa asimilim, nëpërmjet mësimit të mirë të gjuhës shqipe, që nënkupton tekste të mira shkollore, gjuhësore, letrare në njërën anë dhe në anën tjetër mësimdhënës, mësues e arsimtarë të përgatitur profesionalisht, do të arrijmë që bashkatdhetarët tanë, fëmijët e tyre ta mësojnë mirë gjuhën shqipe dhe në këtë mënyrë edhe të arrijnë të integrohen suksesshëm, por në të njëjtën kohë edhe të mos asimilohen, por ta mbrojnë kulturën e të dy vendeve ku ata jetojnë dhe veprojnë. Pra, vendin e origjinës dhe atë të punës e të banimit.
Një çështje tjetër e rëndësishme në kuadër të programit tonë qeveritar është themelimi i Fondit Sovran të Republikës së Kosovës. Në qershorin e vitit të kaluar e kemi miratuar në mbledhje të Qeverisë, konspekt dokumentin, ndërkaq tash po e përmbyllë diskutimin publik, Projektligji për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, i cili më pas miratohet në Qeveri dhe sillet në seancë plenare në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që edhe aty të diskutohet, të trajtohet para se të miratohet.
Ideja e Fondit Sovran, është ide e kamotshme më saktësisht e vitit 2017 dhe që prej atëherë ne vazhdimisht e kemi theksuar dhe levruar atë. Fondi Sovran synon që të kalojë një dinamikë të re në ekonominë e Republikës sonë, me ç ‘rast nuk do të kemi vetëm njerëz të pasur, por edhe do ta bëjmë edhe shtetin të pasur. Ekonomia në këto vitet e pasluftës, sidomos të pas shpalljes së pavarësisë, ka qenë e shkapërderdhur duke iu nënshtruar qoftë keqpërdorimeve të fondeve publike apo edhe privatizimeve abuzive.
Andaj, ne dëshirojmë ta ndërpremë këtë trend, le të themi trend centrifugal në ekonominë tonë, ta bëjmë centripetal. Ta bëjmë gravitetin e ekonomisë sonë. Ashtu që Fondi Sovran në njërën anë t’ia marrë ndërmarrjet publike Qeverisë, ndërkaq në anën tjetër asetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, që duhet të mbyllet, janë diku 24 mijë asete, ku përfshihen 42 mijë hektarë tokë bujqësore që duhet të mbrohen dhe ky Fond Sovran me një Bord të Drejtorëve dhe me një menaxhment ku presim që të vijnë sidomos nga diaspora jonë do të ishte drejtpërsëdrejti i lidhur me Kuvendin e Republikës. Pra, t’i përgjigjej Parlamentit, si organi më i lartë përfaqësues legjislativ i Republikës sonë demokratike. Me fjalë të tjera, ne po përpiqemi që ta zvogëlojmë Qeverinë, ta bëjmë atë më të shpejtë dhe në anën tjetër, ta rrisim shtetin e ta bëjmë atë më të fortë. Ne duam Qeveri më të vogël e më të shpejtë dhe shtet më të fortë e më të madh. Fondi Sovran është reforma kryesore në ekonominë, e cila e mundëson, po mund të them edhe e garanton një gjë të tillë.
Në vazhdim, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me siguri që do të prezantojë edhe më në detaje të gjitha ndryshimet, të cilat janë duke marrë formë në kuadër të qasjes tonë të re për diasporën, e për këtë person më kompetent në kabinetin tonë qeveritar se sa zëvendësministrja, Liza Gashi, nuk ka. Unë nuk njoh njeri që njeh më shumë bashkatdhetarë në diasporë se sa Liza Gashi. Nuk po them që nuk ekziston një person i tillë, por ja që unë nuk e njoh.
Vetëm duke e njohur rëndësinë e diasporës për zhvillimin tonë ekonomik, social dhe politik, e duke trajtuar atë si një pasuri të çmuar po dhe burim për zhvillim të gjithmbarshëm, do të mund të ndërtojmë një shtet më të fortë e më të qëndrueshëm.
Ju ftoj të merrni pjesë aktivisht në diskutimet dhe shkëmbimet, që do të zhvillohen gjatë kësaj konference sot dhe nesër. E së bashku, do të punojmë që të kemi një ndikim afatgjatë në vendlindjen tonë dhe të lëmë mbrapa një trashëgimi të prosperitetit për brezat e ardhshëm.
Nuk kemi përgjegjësi për botën të tillë çfarë e kemi gjetur, por kemi përgjegjësi për botën çfarë ua lëmë brezave që vijnë pas nesh, e për shkak se kemi përgjegjësi, le të jemi të përgjegjshëm. /Arbresh.info/
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...