Nesër nis betimi i kryetarëve të rinj të katër komunave në veri

21:36 | 18 Maj 2023
E.H

Na ndajnë më pak se 24 orë nga betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut.

Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej katër kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

Betimi i kryetarit të ri do të bëhet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Për betimin që do të ndodhë nesër, ka folur edhe sot ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pas një takimi me kryeministrin Kurti.

Ambasadori amerikan përcolli porosinë e Shteteve të Bashkuara se nuk është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat e komunave që mund të mos jenë të qasshme.

Me një pikë të rendit të ditës, të premten pritet të bëhet betimi i kryetarit të ri.

Për këtë dhe dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti mbrëmë pati një telefonatë me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Kurti e Chollet, me theks të veçantë, folën për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme