Google ADS

LAJMI I FUNDIT/Nuk respektoi vendimin e Gjykatës Komerciale, Prokuroria nis hetimet ndaj “VizaMetric”

08:34 | 18 Maj 2023
L G

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj kompanisë “VisaMetric”, e cila nuk ka respektuar vendimin e Gjykatës Komerciale, ku i ishte ndaluar që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë, pagesë kjo në vlerë prej 30 euro.

Ani pse shkalla e parë dhe shkalla e dytë e kësaj gjykate kishin marr vendim që t’ia ndalonin “VisaMetric” që t’i detyrojë qytetarët të paguajnë nga 30 euro për shërbime postare, kjo kompani kishte vazhduar ta bënte pak ditësh, raporton Arbresh.info.

Kjo ka bërë që Prokuroria Themelore në Prishtinë të nis hetimet ndaj kësaj kompanie.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj i ka thënë Arbresh.info se kjo kompani po hetohet për “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore.

“Referuar kërkesë së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se lidhur me këtë çështje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal. Prokurori i Shtetit menjëherë ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve sipas dispozitave ligjore të KPPRK-së, dhe atë në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thotë Ulaj.

Ajo thotë se për zhvillimet e radhës lidhur me këtë rast, Prokuroria do të njoftojë në kohë.

Ditë më parë, lidhur me mos respektimin e vendimit , “ Arbresh.info” ka kontaktuar zyrtarë të Gjykatës Komerciale.

Zëdhënësja e Gjykatës Komerciale, Albënora Bekteshi-Hoti i ka thënë portalit Arbresh.info se Gjykata ka vepruar në këtë rast, duke caktuar masën e sigurisë në Dhomat e Shkallës së parë, e cila pastaj është vërtetuar edhe në Dhomat e Shkallës së Dytë.

Sa i përket detyrimit të kësaj kompanie që t’ua kthej qytetarëve parat që ua ka marr pas vendimit të Gjykatës, Bekteshi- Hoti thotë se gjykata ende nuk ka marrë vendim meritor.

“Gjykata ende nuk ka vendosur në mënyrë meritore me këtë rast sa i përket padisë, por vetëm për masën e sigurisë, andaj përderisa nuk kemi vendim meritor dhe të formës së prerë nuk mund të japim përgjigje, se a duhet apo jo t’ua kthej parat qytetarëve që ua ka marr pas vendimit për masë të sigurisë”, shprehet Bekteshi-Hoti për Arbresh.info.

Ndryshe, Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “VisaMetric” që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë.

Po ashtu, Gjykata përmes vendimit të datës 15 mars ka obliguar këtë kompani që t’ua lejojë qytetarëve që të mund t’i tërheqin pasaportat e tyre edhe fizikisht, në zyrat e tyre, përderisa deri më tani, kjo gjë nuk është mundësuar.

“VisaMetric” është kontraktuesi i vetëm zyrtar i Ambasadës Gjermane në Prishtinë për pranimin e aplikacioneve për viza Schengen nga shtatori i 2022-ës./Arbresh.info/Gita Lushi/

LEXO EDHE

A do të detyrohet kompania “VisaMetric” t’ua kthej parat qytetarëve, flasin nga Gjykata Komerciale – Arbresh.info

Të ngjashme