Policia e Kosovë anëtarësohet në rrjetin operacional për luftimin e mafisë

21:35 | 17 Maj 2023
E.H

Policia e Kosovës është bërë anëtare e rrjetit operacional ON Network, i cili forcon bashkëpunimin policor ndërkombëtar ndaj grupeve kriminale të stilit mafioz, duke bërë të mundur që shtetet anëtare të BE-së të kërkojnë, në koordinim me Europolin, vendosjen e hetuesve të specializuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga Drejtori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, Nënkolonel Arben Paçarizi morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit në projektin ON Network që u mbajt në Romë të Italisë në selinë e Drejtorisë së Hetimeve Antimafia, transmeton Klan Kosova.

Anëtarësimi i Policisë së Kosovës në rrjetin ON Network, që është projekt i Komisionit Evropian nën udhëheqjen e Policisë Italiane, u bë së bashku me Policinë e Finlandës, Qipros dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Sipas Policisë së Kosovës, ky projekt mundëson avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar duke ndërtuar rrjetin e bashkëpunimit dhe koordinimit policor në fushën e krimit të rëndë dhe të organizuar.

“Pjesëmarrja e Policisë së Kosovës në këtë projekt është një tregues relevant për rolin aktiv të Policisë së Kosovës në fushën e luftimit të formave të kriminalitetit si një partner tashmë i besueshëm dhe efektiv në nivelin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme