Prokurori i papërgatitur për lëndën, shtyhet seanca ndaj dy zyrtarëve policorë të akuzuar për keqtrajtimin e një të mituri

15:41 | 17 Maj 2023
Diellza Gashi

Pejë- Për shkak se prokurori Ramiz Buzhala nuk ishte i përgatitur për lëndën, ka dështuar seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Pejë, në rastin ku zyrtarët policorë Esat Lajqi dhe Arijan Bacaj, akuzohen për rrahjen dhe keqtrajtimin e të miturit E.M. Kurse, Lajqi akuzohet edhe për kanosjen e të dëmtuarit Pal Krasniqi.

“Lëndën të cilën duhet ta përfaqësoj, sot më është sjellë nga arkiva pas thirjes së gjykatës në ora 10:05”, tha prokurori Buzhala.

Prokurori Buzhala tha se lënda ka shumë dëshmitarë e shumë prova materiale, të cilat duhet t’i elaborojë dhe për këto arsye tha se i duhet kohë për përgatitje të lëndës, andaj propozoi shtyrjen e seancës.

Propozimi i tij nuk u kundërshtua nga mbrojtësit e të akuzuarve Lajqi dhe Bacaj, avokatët Besnik Berisha dhe Veton Berisha.

Pas kësaj, gjyqtari çështjes Murat Hulaj, konstatoi edhe mungesën e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve të propozuar nga prokurori i mëhershëm në fjalën hyrëse.

Andaj, në mungesë të kushteve dhe pas propozimit të prokurorit, gjyqtari Hulaj aprovoi propozimin e tij dhe seancën e radhës e caktoi për 13 korrik 2023.

Ndryshe, sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 18 gusht 2020, dy të akuzuarit Esat Lajqi dhe Arijan Bacaj, ngarkohen se më 17 korrik 2020, në rrugën “Anton Çeta”, në Pejë, me dashje dhe në bashkëkryerje i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit/të miturit E.M (16 vjeçar).

Sipas akuzës, në ditën kritike përderisa i dëmtuari nuk iu ishte ndaluar të akuzuarve dhe kishte ikur derisa ishte duke drejtuar motorin pa leje të vozitjes, me të arritur në vendin e lartcekur, ka ndaluar dhe menjëherë reagojnë dy të akuzuarit duke e ndalur veturën për të pamundësuar ikjen e tij, ku fillimisht i akuzuari Arijan i hedh sprej lotsjellës në fytyrë, e më pas e prangos, gjersa gjatë kësaj kohe i akuzuari Esat e godet me shqelm në pjesën e regjionit të brinjëve si dhe e mban që të kryente veprimet i akuzuari Arijan, duke e goditur që të dy me grushte në regjionin e kokës dhe fytyrës, si dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.

Për çka, thuhet në akuzë se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, par.3, e lidhur me nënpar.3.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 3 vjet.

Gjithnjë sipas akuzës, në datë, kohë dhe vend të njëjtë, i akuzuari Esat Lajqi, përderisa ishte në uniformë policore dhe në cilësinë e personit zyrtar, e keqtrajton të dëmtuarin duke i shkaktuar jo vetëm lëndime trupore, por edhe duke cenuar dinjitetin njerëzor në prani të qytetarëve tjerë me adresim të fjalëve fyese dhe poshtëruese.

Për çka, thuhet në akuzë se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195, par.2 e lidhur me par.1 të KPRK-së, vepër e cila dënohet me burgim prej 3 deri në 15 vjet.

Sipas akuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, i akuzuari Esat Lajqi, seriozisht e kanos të dëmtuarin Pal Krasniqi, që pasi që kishte ndodhur rasti, i dëmtuari kishte qenë aty dhe e kishte parë në tërësi ngjarjen dhe veprimet e të akuzuarve, e ku me të arritur një patrullë tjetër policore, të njëjtit i drejtohen me pyetjet se çka ka ndodh, e ku i dëmtuari iu përgjigjet “çka kam pa sot, tmerr kam pa, mos pafsha ma”, ku menjëherë reagon aty i akuzuari Esat dhe në prezencë të zyrtarëve policorë dhe fqinjëve të tij i drejtohet me fjalët kanosëse: “a po ma sheh këtë fytyrë, ki me mbajt mend sa të jem gjallë”, të cilat fjalë kishin shkaktuar frikë dhe ankth, ku i akuzuari asaj dite kishte kaluar disa herë radhazi me veturë zyrtare dhe civile, për çka të dëmtuarin e kishin mbajt në frikësim të vazhdueshëm.

Për çka, thuhet se ka kryer veprën penale të “Kanosjes”, nga neni 181, par.2 e lidhur me par.1 të KPRK-së, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.

Gjithnjë sipas akuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, i akuzuari Arijan Bacaj, duke keqpërdorë detyrën dhe autorizimet e tij si zyrtar policor, keqtrajton të dëmtuarin e mitur E.M., që përveç lëndimeve trupore ai e kishte cenuar dinjitetin njerëzor të tij në prani të qytetarëve të tjerë dhe atë me fjalët “a po don sh** me të dhanë”, përderisa i dëmtuari kishte kërkuar ujë, “a ta q.. nanën, ty o mirë jo veç syve por edhe b… me ti bo me sprej kasakader”.

Për çka, thuhet në akuzë se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195, par.2 e lidhur me par.1 të KPRK-së, vepër e cila dënohet me burgim prej 3 deri në 15 vjet. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme