Interi në finale të Ligës së Kampionëve, Inzaghi paralajmëron Cityn e Real Madridin

08:37 | 17 Maj 2023
K.B

Interi ka arritur ta mposht rivalin e qytetit, Milanin për tu kualifikuar në finalen e Champions League.

Skuadra e Simone Inzaghi është bërë skuadra e parë që ka siguruar kualifikimin në finale, duke prerë biletën për Stamboll.

Inter në “San Siro” si vendas fitoi me rezultat 1:0, derisa ndeshjen e parë e kanë fituar 2:0

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi u shpreh i lumtur me arritjen e skuadrës së tij.

Ai paralajmëroi Manchester Cityn dhe Real Madridin se synojnë ta fitojnë trofeun në finalen e Stambollit.

“Nga nesër me siguri do të kuptojmë atë që kemi bërë, ka qenë një rrugë e gjatë dhe e vështirë kundër skuadrave të mëdha”, tha Inzaghi për Sky Sports

“Finalja është një kënaqësi e madhe për ne. Një gol i dëshiruar dhe i marrë me shumë sakrifica, e besova që në ditën e shortit edhe pse e dija se ishte e vështirë. Koha do të na bëjë ta shijojmë edhe më shumë”.

“Normalisht, ne jemi atje tani dhe do të bëjmë më të mirën ta fitojmë Ligën e Kampionëve. Nesër mbrëma do të shohim gjysmëfinalen tjetër, kushdo që fiton do ta gjejë Interin duke luajtur kundër tyre”, deklaroi Inzaghi.

Për Interin kjo është finalja e parë e Ligës së Kampionëve pas 13 vjetësh dhe që nga viti 2010 kur edhe e fituan trofeun e çmuar.

Interi në finalen që do të luhet në Stamboll do të përballet me fituesin e takimit Manchester City – Real Madrid (1:1) që ndeshjen e dytë e luajnë të mërkurën (nesër) nga ora 21:00./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme