Drejtuesi i kompanisë së inteligjencës artificiale që prodhon programin ChatGPT i tha Kongresit amerikan të martën se ndërhyrja e qeverisë “do të jetë jetike për të shmangur rreziqet” nga sisteme gjithnjë e më të fuqishme të inteligjencës artificiale.
“Ndërsa kjo teknologji avancon, e kuptojmë se njerëzit janë nervozë se si do të ndikojë tek mënyra e jetesës. Edhe ne jemi (nervozë)”, tha drejtori ekzekutiv i kompanisë OpenAI, Sam Altman, gjatë dëshmisë së tij në Senat të martën.
Kompania e tij nga San Françisko mori vëmendjen më të lartë publike pasi publikoi vitin e kaluar programin ChatGPT, një program dialogimi pa pagesë që u përgjigjet pyetjeve me fraza që duken bindshëm sikur janë hartuar nga njeriu.
Fillimisht pati panik në radhët e arsimtarëve për përdorimin e programit ChatGPT për të kopjuar gjatë përgatitjes së detyrave të shtëpisë.
Në vazhdim pati shqetësime më të gjera për aftësitë e inteligjencës artificiale për të mashtruar njerëzit, për të përhapur të pavërteta, për të shkelur mbrojtjet e të drejtës së autorit dhe për të eliminuar disa profesione.
Megjithëse nuk ka ndonjë tregues se Kongresi do të miratojë menjëherë rregulla të reja për inteligjencën artificiale, siç po veprojnë ligjvënësit evropianë, shqetësimet e shoqërisë sollën zotin Altman dhe drejtues të tjerë të kompanive teknologjike në Shtëpinë e Bardhë më herët këtë muaj, si dhe i kanë shtyrë agjencitë amerikane të premtojnë luftimin e produkteve të dëmshme të inteligjencës artificiale, që shkelin të drejtat aktuale civile dhe ligjet për mbrojtjen e konsumatorëve.
Senatori demokrat Richard Blumenthal, i cili drejton nënkomisionin e Senatit për privatësinë, teknologjinë dhe ligjet, e hapi seancën dëgjimore me një fjalim të regjistruar, që i ngjasonte senatorit, por që ishte realisht një zë i klonuar, bazuar në fjalimet e tij në Kongres dhe që thjesht recitoi një tekst të shkruar nga programi ChatGPT, pasi i kishte shtruar programit pyetjen “Si do ta çelja unë dëgjesën?”.
Rezultati ishte mbresëlënës, tha Senatori Blumenthal, por shtoi se “po nëse do t’i kisha kërkuar, apo ofruar, mbështetje për dorëzimin e Ukrainës apo të drejtimit të Vladimir Putinit?”.
Senatori Blumenthal tha se kompanive të inteligjencës artificiale duhet t’u kërkohet të testojnë sistemet e tyre dhe t’i bëjnë të ditura rreziqet e mundshme përpara se ta bëjnë produktin të disponueshëm për publikun.
E themeluar në vitin 2015, kompania OpenAI është e njohur edhe për produkte të tjera të inteligjencës artificiale, si programi për prodhimin e imazheve DALL-E.
Kompania Microsoft ka investuar miliarda dollarë në këtë projekt dhe e ka integruar këtë teknologji me produktet e saj, përfshirë programin për kërkimin në internet Bing.
Zoti Altman do të niset këtë muaj në një tur vizitash në kryeqytete dhe qytete kryesore të botës për të folur për këtë teknologji me politikëbërësit dhe publikun.
Përpara dëshmisë së tij në Senat, ai darkoi me disa ligjvënës amerikanë, shumë prej të cilëve i thanë kanalit CNBC se ishin impresionuar nga komentet e tij.
Gjithashtu do të dëshmojnë zyrtarja kryesore për privatësinë dhe besimin në kompaninë IBM, Christina Montgomery dhe Gary Marcus, profesor nderi në Universitetin e Nju Jorkut, i cili ishte ndër disa ekspertë të inteligjencës artificiale që i bëri thirrje kompanisë OpenAI dhe firmave të tjera të teknologjisë të ndalojnë për gjashtë muaj zhvillimin e modeleve më të fuqishme të inteligjencës artificiale, për t’i dhënë shoqërisë më shumë kohë për të shqyrtuar rreziqet.
Letra ishte një përgjigje ndaj publikimit në mars të modelit më të fundit të kompanisë OpenAI, variantit GPT-4, i përshkruar si më i fuqishëm se ChatGPT.
“Inteligjenca artificiale do të jetë transformuese në mënyra që as nuk mund t’i imagjinojmë, me pasoja për zgjedhjet, vendet e punës dhe sigurinë e amerikanëve”, tha Senatori republikan Josh Hawley. “Kjo seancë shënon një hap të parë jetik drejt të kuptuarit se çfarë duhet të bëjë Kongresi”.
Zoti Altman dhe drejtues të tjerë të sektorit të teknologjisë kanë thënë se mirëpresin një formë të mbikëqyrjes ndaj inteligjencës artificiale, por kanë paralajmëruar kundër rregullave të ashpra.
Në një kopje të dëshmisë së saj të parapërgatitur, zonja Montgomery e kompanisë IBM i kërkon Kongresit të marrë përqasjen e “rregullave të sakta”.
“Kjo do të thotë vendosje të rregullave për të qeverisur përdorimin e inteligjencës artificiale në raste të veçanta, duke mos qeverisur vetë teknologjinë”, tha zonja Montgomery./VOA/
“A mendon se të ka puthur Ana për lojë?- Pyetja e publikut p...
Hamza: Brenda vitit 2025 me mua kryeministër pagat do të rri...
SHBA-ja sanksionon bankën ruse, Gazprombank
Nis darka e të nominuarëve pyetjet pikante nga publiku
Lajçak takon ministrin francez: Diskutuam për rëndësinë e di...
Lela: Gresa protagoniste, u përplas me të gjithë banorët (VI...