Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “Visametric” që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë, pagesë kjo në vlerë prej 30 euro.
Megjithatë, përkundër vendimit të Gjykatës Komerciale, kompania “VisaMetric”, ende po vazhdon t’ua marr qytetarëve që aplikojnë për vizë gjermane nga 30 euro.
Lidhur me këtë, “ Arbresh.info” ka kontaktuar zyrtarë të Gjykatës Komerciale.
Zëdhënësja e Gjykatës Komerciale, Albënora Bekteshi-Hoti thotë se Gjykata ka vepruar në këtë rast, duke caktuar masën e sigurisë në Dhomat e Shkallës së parë e cila pastaj është vërtetuar edhe në Dhomat e Shkallës së Dytë.
Sa i përket detyrimit të kësaj kompanie që t’ua kthej qytetarëve parat që ua ka marr pas vendimit të Gjykatës, Bekteshi- Hoti thotë se gjykata ende nuk ka marrë vendim meritor.
“Gjykata ende nuk ka vendosur në mënyrë meritore me këtë rast sa i përket padisë, por vetëm për masën e sigurisë, andaj përderisa nuk kemi vendim meritor dhe të formës së prerë nuk mund të japim përgjigje, se a duhet apo jo t’ua kthej parat qytetarëve që ua ka marr pas vendimit për masë të sigurisë”, shprehet Bekteshi-Hoti për Arbresh.info.
Sipas saj, vendimi i gjykatës për t’ia ndaluar kompanisë “VisaMetric” që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane është vërtetuar edhe nga shkalla e dytë në fund të muajit prill të këtij viti.
“Gjykata Komerciale përkatësisht gjyqtari i Departamentit të Përgjithshëm të Dhomave të Shkallës së Parë, më 30.12.2022 me aktvendim ka caktuar masën e përkohshme të sigurimit në këtë rast, ndërsa më 13.03.2023 me aktvendim ka caktuar masën e sigurisë, të cilin vendim Dhomat e Shkallës së Dytë e kanë vërtetuar më 27.04.2023”.
Ajo thotë se gjykata duke vepruar në bazë të kompetencës së saj të përcaktuar me Ligj, e ka trajtuar kërkesën e paditësit, dhe të njëjtën e ka aprovuar si në vendimet e kësaj Gjykate.
Prokuroria e Shtetit, sipas saj, është kompetente për mos zbatimin e vendimeve gjyqësore.
“Për njoftimin Tuaj, nuk ka mandat ligjor që të veproj tutje lidhur me mos zbatimin e vendimeve gjyqësore, përpos padive apo propozimeve të inicuara nga palët në procedurë. Për mos zbatimin e vendimeve gjyqësore, kompetente është Prokuroria e Shtetit të Republikës së Kosovës”, thotë Bekteshi-Hoti.
Ndryshe, Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “VisaMetric” që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë.
Po ashtu, Gjykata përmes vendimit të datës 15 mars ka obliguar këtë kompani që t’ua lejojë qytetarëve që të mund t’i tërheqin pasaportat e tyre edhe fizikisht, në zyrat e tyre, përderisa deri më tani, kjo gjë nuk është mundësuar.
“VisaMetric” është kontraktuesi i vetëm zyrtar i Ambasadës Gjermane në Prishtinë për pranimin e aplikacioneve për viza Schengen nga shtatori i 2022-ës./Arbresh.info/GitaLushi/
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...
Kurti dhe Peci në Gjakovë, përurojnë nisjen e punimeve të pr...
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek