Mbrojtja e Veselit përfundon pyetjet për dëshmitarin e katërt

15:08 | 16 Maj 2023
Diellza Gashi

Dëshmitari i katërt, ka filluar të përgjigjet në pyetjet e avokatit Emmerson më 15 maj në sesionin e pasdites dhe ka vazhduar gjatë ditës së sotme në sesion privat.

Kurse, i njëjti do të fillojë të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit të Rexhep Selimit, avokatit Geoffrey Roberts.

Miratohet kërkesa e mbrojtjes së Veselit për të shtuar një dokument në listën e provave

Në seancën e të martës, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Veselit për të një dokument në listën e provave.

Ndonëse, kjo kërkesë sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Charles Smith III është kundërshtuar nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

‘‘Në këtë rast bëhet shumë e vështirë për gjithë palët, jo vetëm për palët po edhe për ne për tu përgatitur si duhet, kundërshtimi i ZPS-së është i kuptueshëm megjithatë, trupi gjykues do ta lejoj shtesën e provës materiale’’, tha ai.

Ndryshe, gjykatësi Smith ka thënë se para se të vazhdohet me pyetjet nga mbrojtja për dëshmitarin e katërt me kodin 4748, do të diskutohet edhe një çështje tjetër e cila duhet të trajtohet në seancë private.

Andaj, seanca është duke vazhduar në sesion privat.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme