Iu arrestua vëllai, Pantina: S’tentoi të ikte, ishte përgjumshëm dhe e ngatërroi daljen

20:23 | 13 Maj 2023
Diellza Gashi

Gjatë ditës së djeshme janë arrestuar gjashtë persona për posedim të 12 kilogramëve marihuanë në disa lokacione nëpër vend.

Por, gjatë kontrollit në një lokacion, Policia tha se një i dyshuar tentoi t’u ikte atyre duke kërcyer nga një lartësi e shtëpisë, i njëjti kishte pësuar lëndime.

E ky i dyshuar ishte vëllai i anëtares së LDK-së, Shqipe Pantina.

Ish- deputetja ka reaguar duke thënë se vëllai i saj nuk tentoi të ikte nga policia, por ishte gjysmë i përgjumur dhe e ngatërroi daljen nga dhoma.

“Është e vërtetë se ai ka pësuar lëndime serioze dje, por është e vërtetë se ai nuk ka tentuar të i ikë arrestimit. Gjysmë i përgjumur (në jerm) ai ka ngatërruar daljen nga dhoma”, është shprehur Pantina.

Po ashtu ajo tha se vëllai i saj është jashtë rrezikut për jetë por ka lëndime serioze të boshtit kurrizor.

Gjithashtu anëtarja e LDK-së, ka pohuar se gjatë ditës së djeshme nga Policia është bastisur shtëpia e vëllait të saj, mirëpo ajo tha se nuk është gjetur asgjë dhe sipas saj këtë e ka vërtetuar gjykata sot.

“Vëllai im nuk akuzohet për asgjë”, potencoi ish-deputetja Shqipe Pantina./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme