Kurti mori pjesë në hapjen e ekspozitës për Holokaustin kundër romëve dhe sintëve

19:41 | 10 Maj 2023
K.B

“Never forget: Kurrë mos e harro” dhe “Never again” apo “Kurrë më”, janë udhëzimet për ta kujtuar gjithmonë Holokaustin, që për rastin e romëve dhe sintëve kanë një domethënie të veçantë sepse, gjenocidi ndaj tyre është lënë shpeshherë në harresë dhe ata vazhdojnë të përballen me diskriminim të hapur në Evropën e sotme, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e ekspozitës për Holokaustin kundër romëve dhe sintëve, që u bë sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Ai i inkurajoj të gjithë qytetarët e Kosovës që ta vizitojnë këtë ekspozitë shumë me vlerë dhe shumë me rëndësi, për një histori gati të harruar të Holokaustit, përcjell Arbresh.info

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Never forget: Kurrë mos e harro. Ky udhëzim për të kujtuar gjithmonë Holokaustin, ka një domethënie të veçantë në rastin e romëve dhe sintëve. Sepse, gjenocidi ndaj tyre është lënë shpeshherë në harresë, kaq shumë saqë historianët i njohin ata si “viktimat e harruara të Holokaustit”. Prandaj, kjo ekspozitë, që po hapet sot në Prishtinë, ka një rëndësi përtej kufijve të Kosovës. Ajo është pjesë e përpjekjeve të reja në mbarë botën për të dokumentuar me hollësi gjenocidin ndaj romëve dhe sintëve — që të mos harrohet kurrë.

Për sa i përket numrit të saktë të viktimave romë dhe sintë në Holokaust, shifrat e historianëve dallojnë. Por, të gjithë pajtohen se pasojat e Holokaustit për popullatën e tyre, kanë qenë shkatërruese: Nazistët me bashkëpunëtorët e tyre eliminuan më shumë se gjysmën e popullatës rome dhe sinti në Evropë. Mes këtyre viktimave ishin mijëra persona të vrarë brenda një nate të vetme, me 2 gusht të vitit 1944, në kampin e përqendrimit “Auschwitz-Birkenau”.

Megjithatë, romët dhe sintët e asaj periudhe të errët, nuk ishin vetëm viktima të projektit gjenocidal të Hitlerit; ata ishin edhe shembuj frymëzues të rezistencës ndaj këtij projekti. Javën tjetër, më 16 maj, do të shënohet Dita e Rezistencës Rome. Me këtë datë para 79 vjetësh, në vitin 1944, mbi 600 të burgosur romë dhe sintë, të armatosur vetëm me çekiç, kazma dhe me lopata, organizuan një kryengritje të guximshme kundër rojtarëve të Auschwitz-Birkenau. Fatkeqësisht, ishte vetëm çështje kohe derisa rojtarët morën përsëri kontroll mbi kampin. Por, për shkak të rezistencës së organizuar të 600 heronjve dhe heroinave, nazistët nuk arritën atë ditë të dërgojnë as edhe një romë apo sint në dhomat e gazit. Siç ka thënë më vonë një i mbijetuar i Holokaustit, “16 maj është një kujtesë se nuk ka asnjë fuqi shkatërruese që s’mund të kundërshtohet”.

Përveç “never forget”, ka edhe një udhëzim tjetër që përmendet shpesh në lidhje me Holokaustin: “Never again” apo “Kurrë më”. Edhe ky udhëzim ka një domethënie të veçantë në rastin e romëve dhe sintëve. Sepse, ata vazhdojnë të përballen me diskriminim të hapur në Evropën e sotme. Në fakt, diskriminimi ndaj fëmijëve romë në shkolla fillore, ka qenë objekt shqyrtimi në disa prej rasteve më të rëndësishme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në fushën e barazisë para ligjit. Këto raste tregojnë se sa i përhapur është diskriminimi dhe mospërfshirja shoqërore e këtyre komuniteteve, edhe më shumë se gjysmë shekulli pas përfundimit të Holokaustit.

Mund të na duket neve se ka shumë pak gjasa që të ndodhë përsëri një gjenocid ndaj romëve dhe sintëve në Evropë. Mirëpo, për të siguruar që të mos ndodhë më kurrë, çdo shoqëri evropiane duhet të dyfishojë përpjekjet e veta për ta luftuar diskriminimin ndaj romëve dhe sintëve, si dhe për të gjetur mënyra për t’i bërë ata pjesë në jetën sociale, ekonomike, kulturore dhe politike, si qytetarë të lirë dhe të barabartë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë disa hapa konkretë në këtë drejtim, përkatësisht për komunitetet romë, egjiptian dhe ashkali. Njëjtë si çdo komunitet në vendin tonë, konsiderojmë se ata janë të Kosovës dhe se Kosova është, po ashtu, edhe e atyre. Mes iniciativave të ndryshme, kemi ndarë 500 bursa në vlerë prej 300 mijë euro për nxënës të shkollave të mesme këtyre komuniteteve. Kemi dhënë edhe 100 bursa shtesë për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike. Ndërkaq, kemi rekrutuar 100 praktikantë për 6 muaj praktikë në institucione publike, me prioritet për rininë e komuniteteve jo shumicë. Dhe, bashkë me Zërin e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve dhe partnerët e tjerë, kemi lansuar për herë të parë një platformë kombëtare ku mund të denoncohen rastet e diskriminimit.

Ekspozita e cila po hapet sot, është shembulli i radhës i këtij bashkëpunimi të frytshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe shoqërisë civile. Uroj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen me iniciativa e me programe të tjera të reja. Por deri atëherë, i inkurajoj të gjithë qytetarët e Kosovës që ta vizitojnë këtë ekspozitë shumë me vlerë dhe shumë me rëndësi, për një histori gati të harruar të Holokaustit.

Ju falemnderit.

Të ngjashme