Google ADS

Franca kritikohet pasi lejoi një marsh të neo-nazistëve në Paris

19:30 | 8 Maj 2023
Orgesa Haziri

Forcat e policisë së Parisit dhe Ministria e Brendshme e Francës janë përballur me pyetje dhe kritika të shumta më 8 maj lidhur me një një marshim prej rreth 600 neo-nazistësh, që u autorizuan të kalojnë nëpër rrugët e kryeqytetit në fundjavë.

Tubimi i 6 majit i ekstremistëve të krahut të djathtë, të veshur me të zeza, erdhi përderisa autoritetet po tentojnë t’i shuajnë protestat kundër qeverisë, me disa kufizime të reja të vendosura të hënën për ta mbrojtur presidentin e Francës, Emmanuel Macron, nga zhurma e protestuesve që përplasnin tenxheret.

Në marshimin e së shtunës nëpër një lagje luksoze të Parisit morën pjesë qindra burra nga grupet e ekstremit të djathtë, të cilët marshuan me flamuj dhe brohoritëm slogane për të përkujtuar vdekjen e një aktivisti të ekstremit të djathtë, Sebastien Deyzieu, më 1994.

Protesta u autorizua nga autoritetet e qytetit dhe policia shihej duke patrulluar aty pranë.

Senatori i Partisë Socialiste, David Assouline, i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Gerald Darmanin, që të “shpjegohet”.

“Është e papranueshme të lejosh 500 neo-nazistë dhe fashistë të parakalojnë në zemër të Parisit. Organizatat e tyre, shfaqja e ideologjisë së tyre, parullat, simbolet janë po aq fyerje për të vdekurit sa edhe nxitje për urrejtje racore”, shkroi ai në Twitter.

Franca shënoi festën tradicionale publike të 8 majit të hënën për ta përkujtuar fitoren e forcave aleate mbi Gjermaninë naziste në vitin 1945 dhe jetët e humbura në luftën kundër fashizmit.

Ian Brossat, një zëdhënës i Partisë Komuniste, tha me shaka se “tenxheret janë qartazi më të rrezikshme se çizmet ushtarake”.

Demonstratat u ndaluan të hënën rreth Champs-Elysees në Paris, ku Macron mori pjesë në një ceremoni të 8 majit pranë memorialit të luftës, Arc de Triomphe.

Policia në Lionin lindor gjithashtu i shpalli të jashtëligjshme demonstratat të hënën pranë një memoriali të luftës ku Macron pritej të bënte homazhe për heroin e Rezistencës Franceze, Jean Moulin.

Një ankesë nga sindikata CGT u refuzua nga një gjykatë lokale.

Anëtarët e qeverisë janë ndjekur nga protestuesit që rrahin tenxhere që kur Macron nënshkroi një reformë të pensioneve më 15 prill, e cila do të rrisë moshën e pensionit në 64 vjeç nga 62 vjeç.

Demonstrata e ekstremit të djathtë në Paris të shtunën përfundoi me pjesëmarrësit që brohorisnin “Evropë, rini, revolucion”, slogani i grupit të dhunshëm studentor të ekstremit të djathtë GUD që pati ndikim në vitet 1990, tha një reporter i agjencisë së lajmeve AFP.

Dy ish-anëtarë të GUD, Axel Loustau dhe Olivier Duguet, të cilët më parë kanë punuar ngushtë me udhëheqësen politike franceze të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, u fotografuan në tubimin e së shtunës, raportoi të hënën uebfaqja Mediapart.

Ministria e Brendshme ka ndaluar një numër grupesh ekstremiste kundër imigracionit në vitet e fundit, duke përfshirë Generation Identitaire dhe Zouaves Paris./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme