Serbia e ka rritur praninë e policisë në shkollat anembanë vendit, pas dy rasteve të vrasjeve masive javën e kaluar, që lanë 17 persona të vrarë dhe mbi 20 të tjerë të plagosur. Këto dy raste ndodhën brenda 48 orëve.
“Nga sot, prezenca e policisë është shtuar në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Serbi”, tha zyrtarja e policisë, Danijela Ostojiq, nga Drejtoria e Policisë në Serbi, duke shtuar se do të ketë “prezencë të vazhdueshme” të policëve gjatë orëve të mësimit.
Ajo tha se në Serbi gjatë ditëve të fundit janë raportuar më shumë se 120 kërcënime nga studentë dhe postime me përmbajtje të papërshtatshme në rrjete sociale.
“Për këtë arsye, Ministria edhe një herë apelon tek të gjithë qytetarët që ta ruajnë mendjen e shëndoshë dhe stabilitetin, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët tanë që ndjekin informacione nga burime dhe media të ndryshme. Profilet e tyre në rrjete sociale duhet të jenë nën kontrollin e prindërve”, tha Ostojiq.
Në një fjalim më 5 maj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se policia do të rrisë patrullimet në rrugë dhe shkolla në javët e ardhshme për t’i ndihmuar shtetasit serbë ta rifitojnë ndjenjën e sigurisë.
“Serbia do të punësojë 1.200 policë të rinj dhe 1.000 prej tyre do të jenë në krye të shkollave në gjashtë muajt e ardhshëm”, tha presidenti serb.
Ai u shpreh i bindur se forcat e policisë përreth shkollave do të ndikojnë në uljen e dhunës “ për 80 për qind më pak brenda më pak se një viti”.
Vuçiq njoftoi gjithashtu se do të bëhen kontrolle të armëve dhe municioneve. Të gjithë qytetarët që posedojnë armë – që vlerësohet të jenë rreth 400.000 njerëz – do t’i nënshtrohen një auditimi, tha ai.
Më 3 maj, një i dyshuar 13-vjeçar hapi zjarr në shkollën fillore Vladislav Ribnikar në Beograd, duke vrarë tetë bashkënxënës dhe një roje sigurie dhe duke plagosur gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues.
I dyshuari, i cili përdori dy armë në pronësi të babait të tij, e kishte planifikuar sulmin me muaj të tërë, sipas zyrtarëve.
Dy ditë më vonë, një tjetër vrasje masive ndodhi në Serbi.
Të paktën tetë njerëz u vranë dhe 14 u plagosën më 5 maj pasi një person i armatosur hapi zjarr nga një makinë drejt këmbësorëve në disa fshatra pranë Mlladenovacit, 50 kilometra në jug të Beogradit.
I dyshuari 21-vjeçar dyshohet se ka përdorur armë automatike.
Pas arrestimit të të dyshuarit, policia ka kryer kontrolle në ambientet që ai përdorte, duke gjetur një automatik kallashnikov, katër granata dhe municion./REL
“Sistem i ri për monitorimin e shkollave”, Rama: Prindërit d...
Burimi diskuton me Drenushën pasi doli i papreferuar këtë ja...
Zgjedhjet e 9 shkurtit, VV-ja shpall zgjedhjet e brendshme p...
Pse “rrugët” e aeroplanëve janë të lakuara dhe jo të drejta?
Balluku: Tuneli i Murrizit drejt përfundimit, ndërtojmë rrug...
BE-ja i bën thirrje Izraelit të pranojë marrëveshjen e armëp...