Apeli lë në paraburgim Nagip Krasniqin, refuzohet kërkesa e mbrojtjes

13:36 | 8 Maj 2023
L G

Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Nagip Krasniqit, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), lidhur me ankesën e ushtruar kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ia kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar administratori i Gjykatës së Apelit, Nysret Arifi.

Ndryshe, Krasniqi është arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.

Ndërsa, më 20 prill, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), paraqiti kërkesë në Themelore, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia caktoi drejtorit të KEK-ut një muaj paraburgim.

Nagip Krasniqi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme