Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimet e saj pasi edhe për muajin prill nuk kanë dalë shtesat për rrezikshmëri për Policinë e Kosovës, i premtuara nga Qeveria Kurti.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri për Arbresh.info, thotë se kjo është e papranueshme dhe diskriminuese.
“Ky vendim është i papranueshëm dhe diskriminues për policinë si dhe shkelje e të drejtave të punës, sepse polici gjithmonë i ekspozohet rrezikut për shëndetin dhe jetën gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, shprehet Zeqiri.
Ai pohon se shtesën e rrezikshmërisë mund ta heqin, por rrezikun e policit nuk mund të ia heqin.
Edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hisen Berisha, thotë se Policia e Kosovës, si institucioni më i lartë i shtetit nuk e meriton këtë trajtim që po i bëhet nga Qeveria e Kosovës.
“Tani jemi dëshmitarë që ky popull po arrin ta kuptojë mashtrimin e kësaj qeverie tash e dy vjet që premtoi një jetë më të mirë dhe kushte më të mira, ata(Qeveria Kurti), premtonin rritje të pagave. Nuk ka pasur rritje të pagës, ka pasur një ulje të pagës dhe një degradim të kushteve të shërbimeve, dhe kjo ka bërë që të sindikata të reagojë pasi është detyrë e tyre që ta ngrenë zërin kur ju bëhet e padrejta, duhet të reagojnë edhe partitë parlamentare”, pohon ai për Arbresh.info
Berisha thekson se edhe Shoqëria Civile duhet të mobilizohet dhe t’i mbështesin të drejtat e policëve në realizimin e të drejtave të tyre.
Deputeti i PDK-së, thotë se për shkak të kushteve që kanë Policia, nuk munden t’i përmbushin të gjitha misionet që i kanë për ruajtjen dhe rendin e ligjit, di dhe se nuk është bërë asnjë blerje në përmbushjen e pajisjeve të policisë.
Berisha: Policia e ushtria nuk janë parti por janë mbi parti
“Policia dhe ushtria nuk janë parti, janë mbi paritë, dhe me këto kushte që ata i kanë, nuk munden të përmbushin të gjitha misionet që i kanë për ruajtje dhe rend të ligjit”, u shpreh deputeti.
Ai, tutje shtoi se Policia nuk duhej të pajtoheshin me këtë pagë, dhe se duhet të lejohet pensionimi i parakohshëm për policët.
“Unë mendoj që policia nuk ish dashtë të pajtohet me këtë pagë pas gjithë aksioneve që kishin në veri, dhe duhet të luftohet që të avancohet statuti i tyre nga shërbyes civil të kthehen në zyrtarë, sepse pastaj do të ja mundësojë që nëse miratohet ligji dhe lejohet pensionimi i parakohshëm atëherë të përfitojnë edhe në pagë pas pensionimit”, pohon ai.
Berisha thotë se nëse kjo vazhdon kështu, rrezikon drejtpërdrejt në sigurinë e vendit, dhe më nuk është çështja e partisë, por duket se është mision shkatërrimi dhe falimentimi në funksionalizimin e këtij institucioni në vend.
Shala: Mos ekzekutimin e shtesave, rrezik për mbarëvajtjen e punës operacionale të institucioneve të sigurisë
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala thotë se ky veprim i Qeverisë paraqet rrezik.
“Qeveria e Kosovës me mos ekzekutimin e shtesave paraqet rrezik për mbarëvajtjen e punës operacionale të institucioneve të sigurisë”, tha Shala për Arbresh.info
Shala tha se si Sindikata, por edhe grupet e tjera kanë të drejt në ngritjen e zërit për të drejtat e tyre.
“Sindikata, por edhe grupet tjera të interesit politik kanë të drejtë në ngritjen e zërit për një të padrejtë”, pohon ai.
Shala thotë se përmes sistemit të ri të pagave, në çdo formë është duke u rrezikuar siguria nacionale në shumë fusha nga ato të sigurisë deri të niveli socioekonomik.
Ndryshe, edhe tre muaj pas hyrjes në fuqi, nuk po mund të zbatohet në tërësi Ligji për Paga në Sektorin Publik.
Zyrtarët publik edhe këtë muaj i morën pagat e tyre pa shtesat të cilat iu takojnë. Përmes një komunikate për media nga Ministria e Financave u bë e ditur se pas përmirësimeve, diferencën do ta marrin në mënyrë retroaktive.
“Edhe gjatë muajit prill, komisioni për shtesën për kushte specifike ka pranuar një numër të lartë kërkesash nga zyrtarët publik, dhe me qëllim që të evitohen gabimet, të gjitha kërkesat janë duke u shqyrtuar me kujdes dhe për këtë ende nuk ka përfunduar puna e komisionit. I njoftojmë të gjithë zyrtarët publik se pas përmirësimeve diferencën do ta marrin në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e ligjit për paga në sektorin publik”.
Tutje është bërë e ditur se përgjatë gjithë kohës, autoritetet kanë vazhduar me plotësimin, përshtatjen dhe korrigjimin e të dhënave.
“Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik, në zbatim të Vendimit Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Thesarin e Shtetit/Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, përmes njësive për menaxhimin e burimeve njerëzore në institucionet e nivelit qendror dhe lokal, ka vazhduar punën gjatë gjithë muajit prill në plotësimin, përshtatjen dhe korrigjimin e të dhënave të të punësuarve në funksion të zbatimit efektiv të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik dhe Vendimit të Qeverisë Nr.04/128 të datës 16.02.2023”, thuhej në njoftimin e kësaj Ministrie./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...
Nesër fillon Fushata Globale “16 Ditët e Aktivizmit Ku...
Dafina Zeqiri sjell këngën e re “Tranquilo”
Vazhdon përplasja me Xuxin, rikthehet historia e prindërve t...