Google ADS

Kurti në ditëlindjen e Skënderbeut: Shkas tjetër për ta kujtuar Kryezotin e Arbërisë

10:53 | 6 Maj 2023
K.B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar ditëlindjen e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu me fjalët e shkrimtarit të madh, Fan S. Noli, duke thënë se “çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit”.

Kurti tha se ndryshe nga data e vdekjes së Skënderbeut e cila është regjistruar nga kronistët e kohës, data e lindjes së heroit kombëtar asnjëherë nuk është fiksuar me siguri.

“Megjithatë, nisur nga emri i tij, Gjergj, historianët kanë ngritur hipotezën që dita e shenjtorit Gjergj, 6 maji, mund të jetë ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Sido që të jetë, qoftë dhe vetëm për këtë arsye, data 6 maj është një shkas tjetër për ta kujtuar Skënderbeun, Kryezotin e Arbërisë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Për Kurtin, Skënderbeu ishte luftëtar i guximshëm, patriot i madh, prijës i shquar e strateg ushtarak.

“Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është personaliteti më i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, kurse figura e tij prej heroi, nga koha e tij te rimarrja prej rilindasve dhe deri te ne sot, ka mbetur qendror në identitetin shqiptar. Lavdi heroit të kombit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut për jetë e mot”, shkroi Kurti./Arbresh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme