Google ADS

A ka datë të saktë për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë?

10:01 | 6 Maj 2023
A. B.

Vendimi është marrë, por ende nuk dihet saktë dita se kur do të hapet për qarkullim të mjeteve motorike ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

E shtyrë nga kërkesa e qytetarëve mitrovicas, asamblistja në Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati-Doli nga Lëvizja Vetëvendosje, propozoi para kolegëve të saj asamblistë të rihapet përsëri kjo urë që dikur bashkonte qytetin.

Por, ky vendim nuk u prit mirë nga Lista Serbe, si dhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, të cilët kërkuan që hapja e urës mbi lumin Ibër, të bëhet me dialog politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Asamblistja Ferati-Doli, ka folur për Arbresh.info rreth këtij propozimi, vendimit dhe kur do të hapet për qarkullim ura kryesore që të çon në pjesën tjetër të qytetit.

Ajo thotë se kërkesa për lirimin e urës për mjete motorike ka qenë kërkesë e qytetarëve, duke mohuar se ka qenë inicim nga partia që e përfaqëson.

“Kërkesa për lirimin e urës për mjete motorike ka qenë kërkesë e qytetarëve. Jo, nuk ka qenë inicim nga partia e cila unë vij. Si përfaqësuese e tyre në asamblenë komunale kam parashtruar këtë kërkesë e cila u mbështet nga shumica e anëtarëve të asamblesë”, shprehet Ferati – Doli.

Asambilstja e Vetëvendosjes thotë se nuk ka pasur takime me përfaqësuesit ndërkombëtar pas këtij vendimi,  dhe nuk ka pasur kritika nga ta për këtë inicim.

Ferati – Doli, thotë se as para ta bënte propozimin për hapjen e urës së Ibrit nuk ka pasur takime me përfaqësuesit e ambasadave të shteteve që veprojnë në Kosovë, që ndryshe quhen shtetet e QUINT-it.

Ajo thotë se pas këtij propozimi e deri më tash nuk ka pasur kërcënime as nga grupet e dyshuara kriminale serbe si dhe nuk i është kërkuar nga askush që ta anulojnë këtë vendim.

Përveç që vendimi është marrë për hapjen e kësaj ure, Ferati – Doli për ‘Arbresh.info’ pohon se nuk ka datë të saktë se kur do të mund të ndodh kjo.

“Datë të saktë nuk kemi. Sa i përket deklaratave të ndërkombëtarëve, kam vetëm një shpjegim: nëse marrëveshja e 2015 ka pas për qëllim normalizimin e gjendjes dhe nëse bisedimet kane këtë qellim atëherë, lirimi i urës për mjete motorike është hapi i parë që duhet të bëhet”, thotë Ferati-Doli.

Ndryshe, ditë më parë Komuna e Mitrovicës veriore, e cila është e banuar me shumicë serbe, por tash me një ndryshim pas dorëheqjes së asamblistëve serbë, morën vendim që pas më shumë se 20 vjetësh të hapet për qarkullim për mjetet motorike ura mbi lumin Ibër që ndanë Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut ishte vetëm një asamblist serb, Dushan Millunoviq. Më 28 prill ai votoi kundër kërkesës për hapjen për qarkullim të urës mbi Ibër.

Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi lumin Ibër e ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në pjesë veriore, të banuar me shumicë serbe. Sot, ato janë dy komuna të veçanta.

Ky vendim është ka ngjallur reagime si nga ndërkombëtarët, por edhe nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, i cili e ka përshëndetur këtë vendim./ Arbresh.info/ Pleurat Salihu/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme