Sako-Carës: Është vetë një politikan i vjetër, i cili i shitet padronit të radhës dhe nuk meriton të merret seriozisht

20:52 | 5 Maj 2023
Diellza Gashi

Një fushatë e moderuar në dukje deri më tani ajo mes dy kandidatëve për Bashkinë e Durrësit, por një javë para datës kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit, palët kanë ashpërsuar tonet. Emirjana Sako ka reaguar në rrjetet sociale për atë që e cilëson si fushatë përbaltje nga ana e Igli Carës, në kontrast me atë që thotë se po bën, duke folur vetëm për vizion e programe.

“Unë nuk jam politikane dhe nuk e kam kuptuar asnjëherë politikën si përballje personash. Për mua politika është ballafaqim vizionesh, programesh, rezultatesh. Por, duke qenë se Igli Cara merret më shumë me mua, sesa me mamën e tij siç e thotë edhe vetë, dua t’ju them dy fjalë! Igli Carën unë nuk e njoh, emrin e tij e kam dëgjuar dikur si njeri që shiste vende pune kur PD-ja ishte në pushtet. Por për këtë nuk kam asnjë provë”.

Por prova që ka, siç shkruan Sako, është fakti se ai është vënë në shitje tek dy pradronët e radhës. E për ta bërë me reale atë që mendon, postimin e ka shoqëruar dhe me një spot, ku Cara fsheh pas makiazhit Berishën e Metën që janë kandidatët e vërtetë në garën e 14 Majit sipas kryebashkiakes socialiste.

“Prova se Igli Cara është vetë një politikan i vjetër, i cili i shitet padronit të radhës dhe nuk meriton të merret seriozisht, është para syve të gjithë durrsakëve. Deri dje ai ishte marioneta e Lul Bashës, sot ai është marioneta e Sali Nongratës dhe Ilir Floririt, të cilët s’kanë asnjë lidhje me të ardhmen e Durrësit. Ata e kanë hedhur Igli Carën në fushë për t’u hedhur hi syve të durrsakëve dhe për ta marrë Durrësin peng. Igli Cara ka gabuar rëndë që u ka dhënë dy individëve më problematikë në Shqipëri, fytyrën dhe emrin e tij, por Durrësi nuk ka më asnjë shans për t’i dhënë padronëve të Igli Carës! Prandaj i dashur Igli, në 14 Maj ti do të kthehesh tek mama në pritje për padronin e radhës, ndërsa unë do vazhdoj punën me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”.

Të ngjashme