Vihet gurthemeli i shkollës nëntëvjeçare me modalitetin publiko-privat, Rama: Do të rritet cilësia në arsim

10:58 | 4 Maj 2023
A Z

Në lagjen Veternik në kryeqytet kanë filluar punimet për ndërtimin e shkollës nëntëvjeçare me modalitetin publiko-privat me sipërfaqe prej 6.726 m².

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, pas vendosjes së gurthemelit, tha se me ndërtimin e kësaj do të rritet cilësia në arsim, do ta lehtësojë dukshëm barrën aktuale të mësimdhënësve në klasat e stërmbushura me nxënës, si dhe do ta reduktojë trafikun e ngarkuar prej lëvizjeve drejt qendrës së qytetit.

Ai ka njoftuar se ndërtimi i kësaj shkolle do të akomodojë mbi 1 080 nxënës të kësaj zone, në më shumë se 30 klasë dhe hapësira tjera rekreative, duke përfshirë parashkollorët e deri tek nxënësit e klasave të 9-ta.

“Jemi këtu në lagjen ‘Qendresa’ ku edhe po e përurojmë fillimin e punimeve të ndërtimit të shkollës së re. Kjo është një ndër tri shkollat me partneritet publiko-privat të cilat po i fillojmë. Është një projekt madhor për kryeqytetin, për arsye se kjo shkollë është mbi 6 mijë m² për mbi 1080 nxënës”.

“Me planin dinamik, përfundimi i kësaj shkolle është në shtator të vitit 2024. Është bashkëfinancim me IFC Bank pjesë e Bankës Qendrore që e ka mundësuar këtë projekt. I kemi tri shkolla me partneritet publiko-privat dhe kostoja e tri shkolla është 15.4 milionë”, tha Rama.

I pari i kryeqytetit është shprehur i bindur se me ndërtimin e kësaj shkolle, trafiku në qytet do të shkarkohet dukshëm.

Fatos Bajraktari drejtor menaxhues i kompanisë “Bao Schools”, tha se projekti do të realizohet sipas planit.

“Sot filluam projektin me partneritet me Komunën e Prishtinës, është projekt model që besoj e kemi një presion një angazhim që të rezultojë me pozitivisht dhe të jep një hap përpara për projektet e ardhshme”, tha ai./eo

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme