Forcat turke e kanë vrarë liderin e supozuar të grupit të Shtetit Islamik (IS) gjatë një operacioni në Siri, tha mbrëmjen e së dielës, më 30 prill, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti Erdogan tha gjatë një intervistë për televizionin turk TRT se lideri i IS-it, i njohur si Abu Hussein al-Qurayshi, u vra në një sulm të kryer të shtunën, më 29 prill.
Erdogan tha se agjencia turke e inteligjencës, MIT, kishte qenë duke e ndjekur atë “për një kohë të gjatë”.
“Ne do ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste pa diskriminuar asnjërën prej tyre”, tha Erdogan gjatë intervistës.
Turqia ka kryer operacione të shumta kundër IS-it dhe grupeve kurde përgjatë kufirit sirian, duke kapur ose vrarë militantë të dyshuar. Turqia kontrollon pjesë të mëdha të territorit në Sirinë veriore pas një serie inkursionesh tokësore për t’i larguar grupet kurde nga kufiri turko-sirian.
Abu Hussein al-Qurayshi u emërua udhëheqës i grupit militant pasi kreu i tij i mëparshëm u vra në tetor. Një zëdhënës i IS-it e quajti atë “një nga luftëtarët veteranë dhe një nga djemtë besnikë të Shtetit Islamik”.
Ai mori drejtimin e IS-it në kohën kur grupi ekstremist ka humbur kontrollin e territorit që dikur mbante në Irak dhe Siri. Megjithatë, grupi ishte përpjekur të aktivizohej sërish, duke kryer disa sulme vdekjeprurëse në të dyja vendet.
Themeluesi i IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, ishte thënë se e kishte vrarë pasi ishte rrethuar nga forcat amerikane në një sulm në veriperëndim të Sirisë në tetor të vitit 2019. Pasardhësi i tij, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi, u vra në një sulm të ngjashëm në shkurt 2022. Ai u pasua nga Abu al-Hassan al-Hashimi al-Qurayshi, i cili, sipas ushtrisë amerikane, u vra në mes të tetorit në një operacion nga rebelët sirianë në provincën jugore të Sirisë, Daraa.
Grupi IS u shkëput nga al-Kaida rreth një dekadë më parë dhe pastaj arriti të kontrollojë pjesë të mëdha të Sirisë veriore dhe lindore, si dhe Irakun verior dhe perëndimor. Në vitin 2014, ekstremistët shpallën të ashtuquajturin kalifat, duke tërhequr mbështetës nga e gjithë bota.
Në vitet në vazhdim, ata pretenduan se ishin përgjegjës sulme të shumta në të gjithë botën që vranë dhe plagosën qindra njerëz, përpara se të sulmoheshin nga vende të ndryshme të botës. Në mars të vitit 2019, luftëtarët sirianë të mbështetur nga SHBA-ja morën kontrollin e pjesës së fundit të territorit që dikur mbanin ekstremistët në provincën lindore të Sirisë, Deir el-Zour, që kufizohet me Irakun./rel/
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...