Numri i të vdekurve në Sudan nga përleshjet e vazhdueshme midis ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) është rritur në 528, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Në një deklaratë të ministrisë thuhet se 4.599 persona janë lënduar gjithashtu nga dhuna në periudhën nga 15 deri më 27 prill.
Ministria kishte njoftuar më herët për 512 të vdekur dhe 4.193 të tjerë të plagosur.
Sipas ministrisë, 12 nga 18 shtetet e Sudanit kanë qenë skenë e përleshjeve midis dy palëve ndërluftuese.
Përleshje të reja shpërthyen të shtunën midis ushtrisë sudaneze dhe luftëtarëve të RSF-së, pavarësisht një armëpushimi treditor.
Në një deklaratë, RSF-ja pretendoi se kishte rrëzuar një avion ushtarak në Omdurman, qytetin binjak të Khartumit. Nuk kishte asnjë koment nga ushtria sudaneze mbi pretendimin.
Mijëra njerëz, përfshirë të huaj, janë larguar nga Sudani që nga shpërthimi i dhunës më 15 prill.
Një mosmarrëveshje u shfaq muajt e fundit midis ushtrisë dhe paraushtarakëve mbi reformën e sigurisë ushtarake.
Reforma parashikon pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri, një nga çështjet kryesore në negociatat e palëve ndërkombëtare dhe rajonale për një kalim në një sundim civil dhe demokratik në Sudan.
Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një veprim të cilësuar nga forcat politike si një “grusht shteti”.
Periudha kalimtare e Sudanit, e cila filloi në gusht 2019, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024. /Telegrafi/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...