“Kjo është Maqedonia për të gjithë”, aksioni i ri OBRM-PDUKM-së

10:50 | 29 Prill 2023
A. B.

OBRM-PDUKM nga kjo fundjavë fillon me aksionin “Kjo është Maqedonia për të gjithë”, që do të zgjasë deri në ditëlindjen e partisë më 17 qershor.

“Këtë fundjavë 19 ekipe do të vizitojnë mbi 100 vende të banuara në Republikën e Maqedonisë dhe do të takohen me qytetarë pa dallim përkatësie politike, etnike dhe fetare. Qëllimi i takimeve është njohja e qytetarëve me aktivitetet e partisë nga njëra anë, por edhe dëgjimi i problemeve të qytetarëve dhe gjetja e rrugëve për zgjidhjen e tyre së bashku”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Qëllimi i aksionit të tillë, sipas kësaj partie, është bashkimi i njerëzve rreth parimeve të patriotizmit të përbashkët, ndryshimeve që, sipas tyre, i duhen dëshpërimisht vendit dhe nevojës për një luftë të përbashkët për një të ardhme më të mirë.

“E gjithë kjo është e kundërta dhe përgjigje ndaj ofertës së qeverisë së LSD-së dhe BDI-së, e cila e sjell Maqedoninë në mjerim, poshtërim, varfëri dhe emigracion. OBRM-PDUKM ofron konceptin e punës, vlerat dhe idealin për një Maqedoni të përparuar. Këtë do ta arrijmë së bashku me popullin, sepse respektojmë popullin dhe populli është faktor kyç në Maqedoni që di të gjykojë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për ta dhe për vendin”, thuhet në njoftimin e OBRM-PDUKM-së.

Nga kjo parti bëjnë thirrje për t’u bashkuar dhe për ta rikthyer Maqedoninë nga fatkeqësia, që sipas tyre, e kanë sjellur LSDM dhe BDI./KlanMacedonia

Të ngjashme